Imagjinojeni një botë pa cigare e pa Coca-Cola. Veç me Pepsi! E mirë apo jo? Imagjinojeni tashti po atë botë edhe pa Beatles!
Nëse s’mund ta imagjinoni këtë, atëherë mos u lodhni për të lexuar më shumë sepse s’do të ju pëlqej ky film që ka të bëjë me grupin anglez The Beatles. Nëse keni pa ‘Across the Universe’ të vitit 2007, që ka të bëjë me The Beatles, pak më shumë duke ngjarë në muzikal, do të ju pëlqejë patjetër edhe ‘Yesterday’. Nëse jo, atëherë do ta shihni pas këtij filmi.
‘Yesterday’ vjen me regji të Danny Boyle dhe skenar të Richard Curtis, mjalti i kinematografisë britanike. Sjell rrëfimin për një këngëtar që ende nuk po arrin të gjejë veten në industrinë muzikore. Pastaj ndodh një ‘fikje totale’, sikur në serinë e shkurtër ‘Revolution’ ku e gjithë bota harron kush janë The Beatles, e cigaret e Coca-Cola nuk kanë ekzistuar kurrë!
Këtu shfaqet rasti për Xhek Mallik (Himesh Patel) të përvetësojë të gjitha këngët e The Beatles, duke u bërë një sensacion global. Në rolet tjera kryesore vjen e mahnitshmja Lily James si shoqja e Xhek, si dhe Kate McKinnon në rolin e menaxheres amerikane të Xhekut.
Pos një tregimi dhe elozhit që i bëhet The Beatles, përcjellë nga këngët e tyre, filmi sjellë një tregim që pos një ngrohtësie përkëdhelëse që gjithmonë sjellin këngët e The Beatles, shoqërohet nga aktrimi dhe rrëfimi i shtruar për mrekulli. Por, nëse dëshirojmë, mund të gjejmë edhe momente ku shohim thumbime të muzikës së sotme, ‘bashkëkohore’ me injorimin që i bëhet veprave të The Beatles nga këngët e shkruara nga 10 veta, gjersa habiten si një njeri i vetëm, në këtë rast Xhek shkruan ‘Hey Jude’, e cila për qëllime marketingu kthehet në ‘Hey dude.’
Oh, gjithashtu e kemi edhe Ed Sheeran i cili nuk po le seri e film pa u shfaqur qoftë edhe kalimthi, ndonëse këtu ka goxha hapësirë.
Film i shkëlqyeshëm, për njërin nga bendet më të mira në histori të muzikës, përgatitur nga dy prej mjeshtërve më të mirë kinematografik britanik. Nota personale: 4/5