“Në fillim të injorojnë, pastaj të përqeshin, pastaj të luftojnë, dhe në fund ti fiton.”
Kjo fjali e Mahatma Gandit, mjafton për të përshkruar karakterin emrin e të cilit e mban njëra ndër seritë më të këndshme të këtij viti të ligë!
Vetëm shikojeni fytyrën e Ted Lassos, dhe nëse nuk ndjeni një afërsi që do të ju tërheqë t’i shihni të dhjetë episodet e sezonit të parë, atëherë as mos ia nisni.
Para disa viteve, kur NBC kishte marrë të drejtat e Premier Ligës angleze në SHBA, nëse nuk jam gabim, Jason Sudeikis, i cili atëbotë ishte pjesë e Saturday Night Live, krijoi karakterin e Ted Lassos, si një trajner amerikan i cili angazhohet në Premier Ligën angleze.
Nga një reklamë në një seri për një sezon, dhe pastaj rinovim edhe për dy sezone tjera!
Seria Ted Lasso nis me ardhjen e këtij trajneri të futbollit amerikan (që është diçka krejt ndryshe nga futbolli jonë, fillimisht pasi luhet me duar, sport i të cilit fans jam edhe unë, ndonëse me ekip që kryesisht vuan), në rolin e trajnerit të AFC Richmond.
Përzgjedhja e tij është bërë për qëllime jo të shëndosha.
Në divorcin e pronarit me bashkëshorten e tij, kjo e fundit ka marrë në pronësi ekipin e tij, të cilin dëshiron ta rrënojë në tentim për të lënduar bashkëshortin duke i shkatërruar gjënë që ai do më së shumti – ekipin e tij. Rebeka e sheh këtë si një mundësi të mirë hakmarrjeje ndaj bashkëshortit të tij, dhe prurja e një trajneri që nuk ka lidhje me futboll, me të cilin tallen të gjithë, duke të jetë receta e përkryer!
Përkundër faktit që është i vetëdijshëm për krejt këtë, Ted Lasso nuk është një njeri që dorëzohet. Edhe më keq, nuk është një njeri i ligë, pa marrë parasysh se ku është.
Pozitiviteti i tij nganjëherë na jep ato ndjenjat që mund të kemi ndaj Michael Scott te ‘The Office’ – një njeri i çoroditur, larg racionales, që të bën të gërryesh edhe murin! Por, Ted Lasso është realist me një qasje e cila nuk gjendet tek shumë njerëz, e në përmasa të Ted Lassos, tek askush.
Që nga njoftimi me sportin e futbollit, adaptimi me një kulturë të re shoqërore, të pamëshirshme kur është në pyetje futbolli, ngulmimi e besimi i tij, në përgjithësi, aktrimi i Jason Sudeikis, dialogët e monologët e tij, sidomos me në lidhje me ndihmësin e tij – trajnerin Mjekra, janë komedia që na është dashur këtë vit!
Pastaj, Mumfordi me të bijtë kujdeset për muzikën, përfshirë super-këngën!
I përkyer!
Padyshim, ‘Ted Lasso’ është seria më e mirë që ka debutuar këtë vit! Shyqyr që kemi edhe dy sezone shtesë, të cilat ende nuk kanë nisur të xhirohen, për shkak të kësaj mut situate!
Ndoshta nuk kam shprehur tërë ato emocione të ngrohta që më ka dhënë ky sezon, por Zoti e di që u mundova sa munda! Nota personale: 5/5