Categories
Filma

Tenet (2020) – Recensim

“Mos provo ta kuptosh. Vetëm ndjeje!”

Kështu i shpjegohet substanca e ‘mbrapsht’ protagonistit nga shkencëtarja në njërën nga skenat fillestare të filmit. E njëjta vlen edhe për neve.

Nëse provojmë të zbërthejmë në detaje, të kuptojmë gjithçka nga Tenet, ndoshta edhe do të zhgënjemi, sepse në fund të fundit nuk është diçka e qartë, e vërtetuar, sa është një imagjinatë, një teori, e cila nuk mjafton të shpjegohet në dy orë e gjysmë.

Artistikisht, Tenet, si shumica e filmave të Christopher Nolan nuk zhgënjen.

Realizimi i skenave ku duhet të përfshihen të dy drejtimet e lëvizjeve, ndonëse nuk besoj të ketë qenë aq punë e lehtë në editim, si produkt final neve na shtrohet me kualitet solid. Dhe kjo, meriton një vlerësim të veçantë sa i përket këtij filmi. Ndoshta të vetmin!

Kur jemi tek ansambli, sa herë që shihja Robert Pattinsonin, brengosesha pak më shumë për Batmanin e radhës. Këtu, nuk është i dobët, por edhe nuk ofron diçka të jashtëzakonshme. E njëjta vlen edhe për John David Washington e Elizabeth Debicki. Ndoshta me emra tjerë, ky film do të kishte qenë më i suksesshëm. Thjesht, ndërlidhja e karaktereve ka qenë shumë e ngurtë, e ftohtë, në mendimin tim. Por, edhe vet karakteret kanë qenë sikur shumë të humbura në shfaqjen e emocioneve.

Si të ndjejmë ne, kur as vet aktorët nuk duket se ndjejnë karakteret që portretizojnë?!

I vetmi që më ka pëlqyer sa i përket aktrimit ka qenë Kenneth Branagh. Është përshtatur për mrekulli me karakterin që portretizonte, dhe fund e krye ka qenë në nivel të detyrës. Ndonëse me hapësirë minimale, të njëjtën më duhet ta them edhe për Michael Caine.

Edhe sa i përket skenarit, duket të jetë i këputur në disa raste, pasi kemi një kapërcim të ngjarjeve shumë me nxitim. Sikur të jenë munduar ta bëjnë sa më të shkurtër filmin, pasi do të shkonte ndoshta në tri orë.

Kam frikë që as atëherë s’do të mund të përçonte mesazhin më qartë se në këtë rast.

Nuk është ndër top veprat e Nolanit. Përkundrazi, mund ta rendisim në tri më të dobëtat. Po të mos ishte emri i tij i lidhur me këtë, ndoshta do të zhvlerësohej edhe më shumë. Nota personale: 3/5