Nuk di a është vetëm gjenerata e jonë që të gjitha kujtimet e fëmijërisë i kanë ose nën frikën e terrorizmit serb, ose me zhurmët e agregateve e vrasjeve të pasluftës, por të lindurit në pjesën e dytë të ‘80tave, nuk jemi ‘bash mirë’!

Për neve, që provonim të mbijetonim disi, Tetrisi ka qenë luks. Ata që kanë pasur akraballëk në Perëndim kanë pasur edhe ndonjë GameBoy atykëtu me aventurat e Duffy Duck!

Në një tjetër ambient që nuhaste shpërbërje, por fatmirësisht për ta pa luftë, një shpikës zbulon një mënyrë argëtuese me kompjuterë – lojën e tetrisit. Si gjithçka në komunizëm, edhe shpikjet i takojnë popullit, ose në fakt atyre që veprojnë në emër të popullit.

Shpikja e tij, në ‘agimin’ e lojërave elektronike, i ishte shitur disa njerëzve edhe më të këqij në Angli – mundeni të shihni një dokumentar e të lexoni sa të doni për Robert Maxwellin, që njëherësh na tregon edhe anën negative të kapitalizmit!

Pa u përfshirë në debatin e pafundmë, më shumë se një luftë lindje-perëndim, ‘Tetris’ është një film aventurë e Henk Rogers, i cili lufton të gjithë dhe gjithçka, për të siguruar të drejtat e lojës Tetris, që mendon se do të jenë suksesi që ka ndjekur tërë jetën.

E them aventurë sepse kemi Henkun që udhëton vazhdimisht, gjithmonë në luftë me kohën, për të arritur qëllimin e tij, derisa provon të bind miqtë e të mposht armiqtë në misionin e tij.

Taron Egerton është fantastik në rolin e tij, ngjashëm si Oleg Stefan e Nikita Efremov në karaktere më të afërta me shikuesin. Toby Jones ka një rol më dytësor, të cilat role më shumë i janë dhënë emrave të panjohur për publikun e gjerë.

Është një skenar që për shkaqe dramatike dhe për t’i dhënë adrenalinë filmit shton gjëra në historinë që thuhet se është e bazuar në ngjare reale, me pjesën teknike që arrin të sjellë atë kontrastin e ngjyrave mes një bote komuniste dhe kapitaliste, realizuar nga regjisori i ‘Filth’.

Tetris është njëri ndër filmat më të mirë të këtij viti deri tash. Ka gjithçka që proklamon, dhe është ndër të paktit filma që më ka mbajtur të lidhur me ngjarjen fund e krye, pa më dhënë kohë të shpërqendrohem në gjëra tjera. Nota personale: 5/5