Categories
TV Reviews

The ABC Murders – Recensim (mini)serie

                Gjithmonë është hezituese adaptimi televiziv i veprave të preferuara, e aq më rëndë është adaptimi i karaktereve të preferuara. John Malkovich në rolin e Hercule Poirot nuk kishte kuptim. Aq më pak në skenat e para kur detektivi i mirënjohur nga vjen tullac dhe me mustaqe të lyera! Është ajo pika kur je në mëdyshje nëse ia vlen të dedikosh veten kësaj mini-serie e stilit britanik që përkthyer thjeshtë i bie tre filma. Dhe më pas ke Ron Uizllin, dhe një aktor që të ngjan në Cillian Murphy-n. Por, pastaj të kujtohet Agatha Christie, dhe gjithçka tjetër mbetet në plan të dytë.

                Njëra ndër veprat më të mira, ndonëse është zor për t’u dalluar e Agatha Christiet, vjen e adaptuar në televizion nga BBC. Mjaftojnë këto dyja që të presim diçka mjeshtërore nga kjo mini-seri prej tri episodeve. Dhe kjo mjeshtri dhurohet, deri në një masë, për të gjithë neve që vendosim ta shikojmë.

                Për ata që nuk janë të njohur me temën, ngjarja ndodh në vitin 1933, me Hercule Poirot tashti në pension. Përkundër kësaj ai merr letra poste të nënshkruara me ABC, të koduara. Është detyrë e detektivit të njohur të gjejë vrasësin i cili nuk e ka ndërmend të ndalojë. Por, ky mision i tij rëndohet nga ndryshimet në departamentin policor ku inspektori i ri nuk është aq miqësor sa ai paraprak.

                Tashti, skenaristët kanë në dorë njërën nga kryeveprat e Agatha Christies. Porse, për të ‘rinuar’, ofruar diçka më të re, ata vendosin të shtojnë e ndryshojnë disa pjesë të cilat personalisht nuk më kanë pëlqyer, të cilat kanë të bëjnë me të kaluarën e Poirot kryesisht.

                Poirot – tullac dhe me një mjekër ndryshe nuk ishte për shijen time. Ngjashëm si dhe aksenti i tij. Përkundër këtyre, John Malkovich ia del të bëj një punë të mirë. Edhe Rupert Grint nuk dëshpëron në rolin e Inspektorit Krom. Eamon Farren në rolin e Krust ka një paraqitje goxha të mirë, e as pjesa tjetër e ansamblit nuk dëshpëron.

                Megjithatë, nuk mund të konsideroj se është një adaptim kushedi sa i mirë. Ndoshta ‘faji’ është tek madhështia e veprës, por ndjejë se kanë mundur të bëjnë më shumë. Nota personale: 3/5