Ndonëse ideja e “efekti flutur” më duket mbresëlënëse, janë pak seri që kanë ndikim në jetën tonë.
Personalisht mund të definoj The Big Bang Theory si seri që ka pasur ndikim të theksuar në jetën time, përfshirë edhe idenë që të shkruaj për seri e filma, si një tentim për të ndarë të mirat me tjerët.
Nisur nga pilot episodi duke vazhduar me misionin e tyre për të marrë gjësendet e Penit tek ish-i dashuri i saj, festa e Hallouinit që vjen shumë më vonë se testimi i kinemasë nga ana e Shelldonit, kriza e tij nervore kur fillon të qepë panço, ledhatimi i Penit me ‘soft kitty’ e karriera e Penit si gamere, e dhjetëra episode tjera, mbeten të ngulitura në kujtesën fotografike që rifreskohet çdo herë që sheh pjesëza të E4 në Facebook Videos.
The Big Bang Theory ka ndërruar narrativë në gamë më të gjerë se çfarëdo seriali sa i përket “aprovimit shoqëror” të “nerd”-ave!
Për herë të parë ndoshta ka qenë një lloj hakmarrje që kanë pasur “njerëzit e shkollës” kundrejt njerëzve “normal”. Dhe lideri i kësaj hakmarrjeje – Dr. Sheldon Cooper.
E di që shumë vetave i ka plasë nervat, dhe këtë e bazoj që shumica e më të afërme të mi e urrejnë ata karakter. Arsyeja është e qartë – kanë të bëjnë me një lloj karakteri të tillë, përjashto aftësitë e tija intelektuale, dhe njohuritë e thella për Star Trek.
Prandaj, karakteri i Shelldonit ka qenë një “vërtetim” personal, por besoj edhe i shumëkujt, që “asocialiteti” nuk është e metë siç të bëjnë të mendojnë shoqëria, njëjtë sikur “introvertizmi”. Më thjesht, Sheldon Cooper më ka ndihmuar të pranoj introvertizmin tim dhe mos të lodhem në arsyetimin tim për “abnormalitetet”, përfshirë edhe shijen në seriale.
Pos që ka qenë një seri e rëndësishme personalisht për mua, suksesi dhe popullariteti i The Big Bang Theory është i njohur dhe i çmuar.
Ndonëse kam qenë skeptik për ndryshimet në grupin bazë dhe ardhjen e Bernadetë e Ejmit në fillim, ardhja e tyre vetëm sa e ka pasuruar serinë duke ndihmuar në zhvillimin e karaktereve dhe zhvillimin e ngjarjeve.
Edhe karakteret më dytësore, si prindërit e disa prej karaktereve, dhe kolegët e karaktereve, sidomos të Shelldonit kanë bërë disa episode e storie të këndshme duke i dhënë jetëgjatës serisë që mendoj ka arritur fundin më të mirë se cilado seri që ka bërë Chuck Lorre.
Tash, gjersa po shikoj episodin e fundit të Young Sheldon, disi ndjejë që krejt ajo magji e TBBT-së vazhdon, dhe do të mbetet si një seri kulti edhe pas shumë viteve. Një univers në vete që ka filluar aty ku fillon intro-kënga e TBBT, tekstin e së cilës sigurisht që ua them në gjumë!
Është një univers i gjerë, 280 episode në 12 sezone dhe shumë momente të cilat edhe sot sikur herën e parë, më bëjnë të qeshem me lot. Serial madhështor. Nota personale: 5/5