Categories
TV Reviews

The Boys – Sezoni 2 (pa spoilera)

Ka pasur shumë gjëra të mira tek sezoni i dytë i ‘The Boys’, sa që është e pamundur të përmblidhen në vetëm një recensim. Ndoshta edhe më shumë se në të parin sezon.

Njëra ndër gjërat e mira ka qenë ardhja e Aya Cash në rolin e një super-heroine të re.

Së fundmi, e njohur me aftësitë e saja në serinë ‘shqetësuese’, ‘You’re the Worst’, paraqitja e saj në një karakter goxha më ndryshe ishte një freski e këndshme për mua. Por, jo edhe karakteri i saj.

Ashiqare, Stormfront ishte një Trump në botën e ‘The Boys’ me tërë idetë e saja për mbjelljen e frikës dhe urrejtjes, e që shkonte deri në thellësi të historisë së saj. Zakonisht ndërlidhje të këtilla politike nuk më pëlqejnë, por kjo ishte e këndshme disi. Ndoshta për faktin se si merr epilog karakteri i saj në këtë sezon, dhe sezoni në tërësi.

Nga episodi i parë, deri tek finalja, historia zhvillohet në mënyrë të kënaqshme. Pas finales së sezonit të parë, kemi disa momente ‘çoroditëse’ të Homelanderit dhe trajtimin e ‘konceptit të tij Frojdian’, që në fakt doli të ishte një moment i pakëndshëm kur e kuptuam që nuk ishte ëndërr nga e kaluara e tij, por çfarë ishte në fakt! Nejse, Homelander meriton më të këqijat!

Sidomos pas episodeve finale dhe epilogut të sezonit të dytë.

Përfshirja e Bekës dhe të birit të saj në këtë sezon, ishte një përballje direkte ndërmjet Kasapit dhe Atdhetarit, diçka që prisnim nga sezoni i kaluar. Disi kjo edhe sqaroi shumëçka në lidhje me motivet e krijimit të ‘Djemve’, dhe njëkohësisht sa përmbylli një kapitull, hapi tjetrin.

Nuk mendoj që do të kemi lëvizje në kohë, por rivaliteti i Djemve e Shtatëshes do të vazhdojë edhe në sezonin e tretë, të katërt, e ndoshta edhe më shumë. Besoj që ka potencial, e edhe hapësirë të zhvillohet në një seri monumentale për Amazon.

Ndër të mirat e këtij sezoni ishte edhe lidhja, sidomos në episodet e para derisa mbahej sekrete, ndërmjet Ylldritës dhe Hjuit. Sillte pak romancë adoleshente në një botë të çmendur. Historia e Kimikos, Frençi, e edhe zhvillimi i ngjarjeve me ‘The Deep’ ishin shtesa të mira. Sigurisht, Giancarlo Esposito për kësisoj role është i lindur e rritur.

Jam i kënaqur me sezonin e dytë të ‘The Boys’. Kanë kaluar pritjet e mija, dhe kanë ngritur standardin për sezonin e tretë. Uroj të mos zhgënjehem. Nota personale: 5/5