Komeditë familjare janë ndër të preferuarat për mua. Viteve të fundit ‘black-ish’ dhe ‘The Goldbergs’ kanë qenë prurje të mira që më kanë plotësuar menynë e komedive që ofrojnë të qeshura dhe kohë të mirë para ekranit.

Në shikim të parë ‘The Carmichael Show’, ndoshta me një ton negativ të shprehjes time këtu, më kujton ‘black-ish’. Është një familje me ngjyrë, pos që fëmijët këtu janë më të rritur. Bëhet fjalë për jetën e komedianit Jerrod Carmichael që është futur në të 20tat e jetës së tij. Ai është zhvendosur në një apartament me të dashurën e tij, veprim për të cilin prindërit e tij nuk janë të njoftuar. Episodi i parë zhvillohet rreth kësaj ngjarjeje.

Komedinë këtu e gjejmë jo tek marrëdhëniet ndërmjet çiftit në fjalë, por më shumë tek marrëdhëniet e këtij çifti të ri me prindërit e Jerrodit. Derisa të parët provojnë të jetojnë jetën moderne dhe aktuale, prindërit e Jerrodit janë pak më konservativ në aspektin shoqëror. Jeta e tyre bazohet në themelet e një familjeje me ngjyrë – biblën, traditën, dhe familjen.

Pjesa e parë e episodit më dukej më shumë si një tentim kopjimi i ‘black-ish’, sidomos pas një viti të parë të suksesshëm të tyre. Por, me futjen në skenë të prindërve, dolën në skenë disa pjesë komike, me të qeshura.

Jerrod Carmichael keni mundur ta shihni tek filmi ‘Neighbors’ dhe komedia ‘The Goodwin Games’ (edhe pse kam shikuar të dyjat nuk më kujtohet performanca e tij). E dashura e karakterit të tij, Amber Stevens West iu kujtohet si e dashura e Jonah Hill tek ’22 Jump Street’. David Alan Grier e Loretta Devine kanë një përvojë më të madhe, sidomos në filma, dhe padyshim që e ndihmojnë këtë komedi, e cila nuk besoj që do të jetë shumë jetëgjatë.

Është komedi e mirë, me të qeshura jo kushedi sa në numër. Ndoshta do ta shikoja ‘në një turn’ dikur. Nota personale: 3/5