Categories
Filma

The Curious Case of Benjamin Button (2008) – Recensim

Të kthesh kohën mbrapa është e pamundur, por të mendosh mbrapsht nuk është ndonjë gjë e veçantë. Shumica e bëjnë këtë, sidomos ata që identifikohen si ‘overthinker’-a.

Mendoj që është një lloj mekanizmi mbrojtës, një besëtytnie, që nëse i mendon të gjitha të këqijat, ato s’do të ndodhin, dhe ti do të befasohesh.

Por, nëse i tregojmë dikujt këto mendime të ‘mbrapshta’ do të qortohemi. Përpos nëse e bëjmë në stilin e F. Scott Fitzgerald.

Historinë e tij të shkurtër, në film e sjellë David Fincher, i cili ofron një vepër mjeshtërore që përmbush e edhe tejkalon pritjet tona si shikues. Më keq s’mbeten as lexuesit, pasi për dallim prej shumë veprave që qethen, kjo në fakt zgjatet e zgjerohet goxha hollësisht e ngadalë.

Tek këto momentet e ‘ngadalshme’ vërehet bukuria teknike e filmit – fotografia e muzika, dhe në shumë raste edhe makijazhi.

Makijazhi luan një rol të rëndësishëm në këtë film për shkak se duhet të na sjellë Brad Pitt në shumë mosha të ndryshme, nëpër të cilat kalon karakteri kryesor – Benjamin.

Në vitin 1918, Benjamin Button lind si një fëmijë plak, i rrudhur, i dobësuar, i sëmurë, duke tmerruar fillimisht maminë dhe të gjitha të pranishmet në lindjen e tij. Por, me kalimin e kohës, Button do të nis të rinohet, duke shkuar në kundërshtim me jetën tonë të zakonshme.

Në këtë jetë të mbrapshtë, ai do ta rritet pa nënën e tij që vdes në lindje dhe babanë që do e braktis. Për të do të kujdeset Kuini, një kujdestare në shtëpinë e të moshuarve.

Por, ajo që do të kalojë më së shumti kohë në këtë film është Deizi. Ajo është shoqja e Benjaminit, me të cilën takohen kur të dy janë të rinj në moshë, por njëri i moshuar e tjetra fëmijë. Dhe koha do të kalojë për të dytë, në drejtime të kundërta, derisa njëri rinohet e tjetra plaket.

Kemi një dashuri të veçantë me gjyshërit tanë. Ndoshta sepse të dy ndjehemi njëjtë, ndoshta sepse të dy palët jemi fëmijë në zemër, nipat e mbesat mezi presin të rriten, derisa gjyshërit e kujtojnë fëmijërinë si kohën më të dashur të jetës së tyre. Për këtë të fundit, nuk jam i sigurt, por po duket se ashtu do të jetë.

Sidoqoftë, fëmijët e pleqtë, janë dy moshat më të sinqerta e më të dashura.

Sahatçiu që provoi të kthente të vdekurit duke ndrequr një orë të mbrapshtë në stacionin e trenit, të kthente të birin e tij të vdekur në luftë, do të ishte pishman ndoshta, pasi më lehtë është të shohësh një të moshuar se sa një fëmijë të largohet nga kjo botë.

Është një film i kompletuar me mjeshtër në secilin departament. Në aktrim kemi Brad Pitt e Cate Blanchett, dy nga emrat më të njohur e vlerësuar në Hollywood. Muzika vjen nga mjeshtri Alexandre Desplat, fotografia nga Claudio Miranda (i cili më pas do të bënte edhe Life of Pi), e regjia nga David Fincher. Skenari i bazuar në librin F. Scott Fitzgerlad adaptohet për film nga Eric Roth!

Kryevepër. Nota personale: 5/5