Dokumentarë

The Dissident (2020) – Recensim

Më 2 tetor 2018, kamerat përreth xhirojnë gazetarin e Washington Post, Jamal Khashoggi, duke hyrë në konsullatën saudite në Stamboll për të marrë dokumentet e nevojshme për martesën me të fejuarën e tij turke.

Ai kurrë nuk largohet nga konsullata më.

Së paku jo i gjallë!

Duhet të kalojnë 13 ditë që autoritetet saudite të lejojnë një inspektim të konsullatës nga autoritete turke, rrëfimet e udhëheqësve të së cilit aksion vijnë në detaje në këtë dokumentar të Bryan Fogel, i njohur për Icarus-in e shpërblyer me Oskar.

Dhe rrëfimet e ngjarjeve që pasojnë hyrjen e Khashoggit në konsullatë – bisedat me zyrtarët, ardhja e pesëmbëdhjetë vetave për ‘të rehatuar’ një disident, detajet e procesit të përfundimit të jetës së tij, dhe proceset që pasojnë pas, janë gjërat më të llahtarshme që mund të dëgjoni!

Është një luftë e një mbretërie kundër një njeriu të vetëm, i cili të vetmin gjynah e ka ankesën kundër veprimeve dhe politikave të udhëheqësve të vendit të tij.

Dokumentari nuk kufizohet vetëm në procesin e likuidimit të Khashoogit.

Fogel shkon më thellë, në detajet e kampanjës së linçimeve të kundërshtarëve politik të pushtetit, të organizuar dhe orkestruar nga autoritetet qeveritare, krijimi i profileve të rrejshme në Twitter, kërcënimet kundër qytetarëve me mendime tjera, e deri tek përshkallëzimet në këso nivele siç ishte eliminimi i Khashoggit.

Vijnë edhe rrëfime të ndryshme, nisur nga e fejuara e Khashoggit, deri tek miqtë e bashkëpunëtorët e tij të ndryshëm, përfshirë edhe një bashkëmendimtar i cili nuk ndjehet i sigurt as mijëra kilometra larg Arabisë Saudite, në Kanada.

Është një dokumentar që tregon si një pushtet mund të shfarosë këdo që kundërshton edhe cikërrimat e pushtetit. Një dokumentar i cili do të ju tregoj si autoritetet ndërkombëtare mbyllin sytë para një pushteti të tillë, për shkak të interesave të tyre të ngushta.

Disidenti është një dokumentar që do të ju përballë me realitetin e shtypur, sidomos nga një shtresë që përkrahë një pushtet të tillë, pa pasur idenë se si funksionon ai, të verbëruar nga anekdotat e së kaluarës.

Vetëm një gjë jam i sigurt për veten – unë dhe vrasësit e Jamal Khashoggit nuk jemi të njëjtit besim. Ose unë, ose ata, e kemi keqkuptuar Zotin. Nota personale: 5/5

%d bloggers like this: