Categories
Filma

The Elephant Man (1980) – Recensim

Ndonëse filmi i David Lynch na dërgon në epokën Viktoriane, ekzistojnë mendime që në mesjetë e më parë, të çmendurit përdoreshin si vegla argëtimi për masën. Pak a shumë si kopsht zoologjike, veçse në vend të kafshëve kishte njerëz, dhe në vend të njoftimit me botën shtazore, njoftoheshin me botën e njerëzve të çmendur.

Tek njeriu elefant, kemi një të deformuar i cili për shkak të shëmtisë së tij përdoret nga një lloj cirku si dëfrim për masën, e cila, si zakonisht, për tu ndierë më mirë provon të gjejë diçka më të keqe e më ulët se pozita në të cilën jemi. Prandaj, edhe në film, njerëzit paguajnë që të shohin njeriun elefant, deformimin e tij, për tu bindur që janë më mirë se që mund të ishin!

Por, për mjekun Frederik Treves, Xhon Merrik është një krijesë e butë, e mirë, një njeri me intelekt normal përkundër deformimeve sipërfaqësore fizike. Prandaj, Dr. Treves, i portretizuar nga Anthony Hopkins, merr Xhon Merrikun (John Hurt) nën përkujdesjen e tij, për ta kthyer në shoqëri, si një person me intelekt normal, e në disa raste edhe më të zhvilluar se ata që e qeshin!

Pra, tema e filmit është e thjeshtë, e ngushtë, por mesazhi që përçon e që mund të nxjerrim është më i gjerë, më i thellë, dhe fatkeqësisht edhe më aktual. Dhe ky mesazh realizohet për merak, ndonëse stili i David Lynch, nisur nga ngjyrat nëpër britmat e këndet e kamerës shton edhe intensitetit e takimit fillestar me ‘njeriun elefant’ e njëkohësisht edhe na jep një ndjenjë të llahtarshme nga reagimet e tjerëve.

Kur them aktual, mendoj sidomos në shoqërinë tonë ‘moderne’, kur çdo vit bëjmë trend kombëtar video të vjedhura telefonash dhe përqeshim një dialekt apo lokalizëm gjuhe, dhe papritmas e shihni se të gjithë po ‘fryjnë ballana’, e ty të vjen të vjellësh kur sheh se me çfarë qeshet!

Të kujtojmë që periudha në të cilën ndodh ngjarja e vërtetë në të cilën bazohet filmi, ka përfunduar me vdekjen e Mbretëreshës Viktoria, në vitin 1901. Ne gjëra edhe më të këqija bëjmë 118 vite më pas. E periudha Viktoriane ka pasur një rilindje kombëtare.

Prandaj, filmi është një lloj mekanizmi edukues e emancipues, po aq sa argëtues! Ata që dëshirojnë të mësojnë gjëra të mira, i gjejnë edhe në filma. E filmat e mirë i gjejnë gjithkund, vetëm duhet të dinë ku të shikojnë. Nota personale: 4/5