Fundi i dynjasë, për së dyti, nuk është si herën(sezonin) e parë. Ndoshta për faktin se tashmë dimë çfarë të presim nga karakteret të cilat i njohim pak a shumë. Ajo çfarë mund të ndryshonte ishte tregimi.

Tashti Xhejms del nga burgu, dhe sigurisht që niset të shkojë drejtë e tek Alisa. Edhe një herë bashkë, edhe një herë rrugës për në fund të botës, por jo… Ato çfarë kanë ndodhur ndërkohë, dalin të jenë goxha ‘telenoveliste’. Ato çfarë ndodhin në vazhdim nuk janë shumë të papritura, të veçanta. Por, megjithatë sezoni i dy del të jetë goxha mirë i përpunuar. Arsyeja për këtë është ‘tuhafllëku’ që kanë jo vetëm karakteret, por i tërë seriali!

Edhe një herë kemi të njëjtën qasje nga ekipi teknik me një kamerë të veçantë, e cila për mrekulli kapë fytyrat e karaktereve, sidomos Xhejmsit i cili në këtë sezon mbetet në një pozitë që mbesin shumica e djemve, të martuarve supozoj. Harmonia e tij me Alisan është e mrekullueshme, ashtu e ftohtë dhe e zymtë. Kësaj tani i shtohet edhe Guen e cila është në një mision hakmarrjeje ndaj këtyre dyve për krimin që kanë bërë në sezonin e parë.

Dhe tregimi vetëm sa vjen e tensionohet deri tek episodi i parafundit. Dhe ndonëse ndërtohet në gati krejt sezonin ajo skenë, prapë na gjen të papërgatitur. Kjo vetëm dëshmon një punë të mirë të skenaristëve, e mbi të gjitha regjisorëve të këtyre episodeve. Përpos misionit të Guen, s’mund të harrojmë as lidhjen ndërmjet Xhejms e Alisas të cilët në këto tetë episode kanë momente që përfshinë të gjitha emocionet pothuajse, si për ata dy, si për neve si shikues. Kemi momentin mbi garazhin e veturave të konfiskuara, darkën, veturën, hotelin, restorantin. Që të gjitha këto lokacione sjellin versione të ndryshme të lidhjes së këtyre dy karaktereve, duke e bërë një përmbyllje të krejt kësaj aventure të tyre!

S’duhet të lëmë anash as karakteret dytësore, të cilat i kanë ato skenat po aq të çuditshme sa karakteret kryesore. I kanë disa fjali të cilat disi të habisin, ndonëse nuk besoj që do të duhej të habiteshim me këta. Do të ishte shumë e çuditshme, mos të them e panevojshme sjellja e sezonit të tretë, ndonëse nuk besoj që do të refuzonim edhe dy orë e gjysmë tjera me aventurat e Xhejmsit dhe Alisas. Shkurt, ëmbël, çuditshëm. Kjo e bën këtë seri të dallohet nga të tjerat. Nota personale: 5/5