Çdo natë e shkul zemrën, por në mëngjes, ajo është e mbushur plot.
Në fund të Luftës së Dytë Botërore, në Itali, një infermiere me origjinë franko-kanadeze, vendos të heq dorë nga udhëtimi i ekipit të saj dhe të qëndrojë në një kishë të lënë pas për tu kujdesur për një pacient të djegur e të shfytyruar, i cili po pritej të jetonte ditët e fundit.
Aksidenti që e ka sjellë në këtë gjendje pacientin, i ka humbur edhe kujtesën, nga e cila i ka mbetur vetëm kujtimi për gruan e tij, të cilin ia rrëfen infermieres. Ky rrëfim ndërpritet kur mysafir i tyre bëhet një pjesëtar i shërbimit inteligjent, një kanadez i cili beson që piloti i plagosur është një spiun për gjermanët, dhe rrëfimi që po flet për të kaluarën nuk ka të bëjë me gruan e tij, por me misionin e tij jo-fisnik.
Ralph Fiennes, në karakterin e pilotit të djegur, Almasy, ju tregon historinë që mban në mend të pranishmëve në kishë, infermieres – Hana, pjesëtari i shërbimit inteligjent – Karavagjio, dhe një ushtari britanik – Kip. Gjatë këtij rrëfimi, ai një kohë të konsiderueshme kalon me kujtimet nga paralufta, që përkrahë tij sjellin Kristin Scott Thomas në rolin e Katarinës. Janë këto rrëfime e skena nga e kaluara që e bëjnë filmin atë çfarë është sot – një produkt që mori zemrat e Hollivudit në mesin e të 90tave.
Pos Fiennes e Thomas, në rolet e tjera janë Juliette Binoche, Willem Dafoe, e Naveen Andrews të cilin më mirë e njohim si Sajid Xharrah nga ‘Lost’. Një grup aktorësh të mëdhenj, në një kryevepër të Anthony Mingellas.
‘The English Patient’ ngërthen në vete jetën e disa karaktereve, të ngujuara në një vend të pazakontë, në një kohë lufte, vdekjeje, e trishtimit, karaktere të cilat përkundër këtyre rrethanave, ende kujtojnë e shpresojnë dashurinë, jetën, e lumturinë. Është ndër romancat më emocionale në lidhje me luftën. Nota personale: 4/5