Categories
Filma

The Goonies (1985) – Recensim

Mundësitë që ne si fëmijë të ndihmojmë prindërit kur përballen me probleme financiare, edhe diçka që na ka ndodhur neve fëmijëve të ‘90tave, janë minimale. Ngjashëm, katër shokë nisen në një aventurë për të gjetur një thesar piratësh, për të ndihmuar shlyerjen e kësteve të shtëpive të tyre.

Të mbledhur në një vikend të fundit së bashku, në tavan ata gjejnë një hartë që duhet t’i shpijë tek ai thesar që do tu shpëtojë shtëpitë, por mbi të gjitha shoqërinë e tyre. Të katër miqtë janë katër individ ndryshe, të cilët së bashku krijojnë një ekip ku secili kontribuon me ‘specialitetin’ e tij.

Miki – lideri që vuan nga astma; Çanki – fabulisti i plogët; Kllark goja – nofka tregon shumë; dhe Data – një tekno-fan, marrin aventurën secili duke kontribuar në kapërcimin e pengesave e grackave falë përvojave të tyre. Asnjëri nga të katër fëmijët nuk u rrit të bëhej një yll filmi, me ‘The Goonies’ duke mbetur arritja e tyre më e madhe, por si fëmijë, si një ekip, ia dalin mbarë së bashku në këtë film.

Filmi sjellë ato çfarë do të priteshin nga një aventurë e këtillë fëmijësh – enigma të lehta, gracka të papritura, takime të frikshme aq sa duhet për fëmijë, dhe armiq ‘të ngathët’, të nivelit të katër fëmijëve para-tinejxherë.

Nën regjinë e Richard Donner (Superman, Lethal Weapon), rrëfimi i Steven Spielberg, përgatitur në skenar nga Chris Columbus, sjell një aventurë të këndshme të katër fëmijëve, që na rikujton të gjitha aventurat tona fëmijërore që kemi mundur t’i jetësojmë, në një masë të kufizuar. Për këto dy orë, nostalgjia na pushton dhe na shpie në fëmijërinë tonë, duke na freskuar shpirtin fëmijëror e të çiltër.

Pak a shumë, mund të na kujtojë një Indiana Jones për fëmijë pasi vjen nga Spielberg i cili bën regjinë e atij filmi, por me historinë e Lucas. Sigurisht që nuk është ‘Indiana Jones’ por është shumë më pak i frikshëm, e më i këndshëm se heroi i Lucas. Film i këndshëm familjar. Nota personale: 4/5