Categories
Filma

The Graduate (1967) – Recensim

E dini që kur nuk jeni në qejf, janë disa këngë e njerëz që ju bëjnë të ndjeheni më mirë.

Mirëpo, po këto këngë, filma, njerëz, a ju shtinë njëfarë frike kur jeni në qejf? A ju prishin qejfin dhe ju kthejnë në ato kohëra të pakëndshme?

‘The Sound of Silence’ është ndër këngët që na bën të ndjehemi mirë kur jemi keq. Dhe me të filluar ‘The Graduate’, kemi këngën e Simon & Garfunkel që na lë të kuptojnë që karakteri i Dustin Hoffman nuk duket të jetë aq i lumtur.

Beni po kthehet në shtëpi pas diplomimit nga kolegji. Në shtëpi kanë organizuar një aheng ku ai do të jetë në qendër të vëmendjes. Diplomuat apo jo, gjithmonë dalin ata që ju tregojnë çfarë të bëni, si të jetoni. Të gjithë ju thonë njësoj – punë, martesë, fëmijë! Hiç më ndryshe nuk e ka as Beni!

Porse, Beni në atë aheng njoftohet me gruan e partnerit biznesor të së atit, Zonjën Robinson, e cila provon ta josh në një lidhje jashtëmartesore që do të ketë pasoja në të ardhmen e afërt kur Beni nis të ndjejë dashuri për të bijën e zonjës Robinson, Ellejn.

Nuk është një rrëfim dashurie, sa është një udhëkryq jete në të cilin hasin të porsa diplomuarit. Për Benin është një zhytje në jetën e ëndërruar, mitit shoqëror, në kërkim të përmbushjes shpirtërore.

Por, fatmirësisht secili shpirt përmbushjen, kënaqësinë kulmore e arrin në mënyrë të veçantë, prandaj ndjekja e metodës universale nuk funksionon. Ngjashëm ndodh edhe me Benin, i cili nis të përjetojë një çarje ndërmjet gjërave që dëshiron dhe gjërave që mendon se dëshiron!

Derisa konsiderohet si një histori rebelimi, aktrimi i Dustin Hoffman, Anne Bancroft në rolin e Zonjës Robinson, dhe Katharine Ross si bija e saj në film, jetëson goxha mirë historinë e realizuar nga Mike Nichols. Ky film mbeti kryevepra e tij, jo për Oskar sa për pozitën që mori në kulturën kinematografike të asaj kohe.

Filmi ende mbetet si një vepër e rëndësishme kinematografike për gjeneratat e studentëve e adoleshentëve. Shihet si një rebelim në një formë ndaj jetës. E gjithë kjo shoqërohet me një fotografi të këndshme, dhe inovative për kohën e realizimit të tij. E gjithë kjo nën shoqërimin e tingujve të Simon e Garfunkel. Nota personale: 4/5