Disi ia dola të përfundoj sezonin e parë të ‘The Handmaid’s Tale’, të cilin e pata nisur me episodin e parë dhe të dytë vitin e kaluar, mirëpo nuk ka qenë diçka i jashtëzakonshëm që të më shtynte të vazhdoja krejt serinë përnjëherë. Dhe kjo më është arsyetuar pasi përfundova sezonin e parë, i cili nuk jam i sigurt që ka merituar Emmyn. Por, ngjarjet edhe jashtë botës së televizionit kanë përcaktuar një vendim të tillë, kinse si shtytje.

Siç e dini, ngjarjet në këtë botë ndodhin pas Luftës së Dytë Civile Amerikane (e trilluar sigurisht, pasi vet seria bazohet në një novelë të shkruar 30 vite më parë), kur fundamentalistët religjioz kanë kapur pushtetin në SHBA, duke ndryshuar kushtetutën, dhe kthyer gratë sidomos në një formë skllavërisë. Ajo çfarë ka ndodhur – sulmet bio-kimike e nukleare – kanë lënë shumicën e njerëzimit pa aftësi riprodhuese. Dhe kjo mungesë riprodhimi mbulohet nga ky grupi i quajtur ‘Handmaids’. Këto tashti lindin për të tjerët, fëmijët që baballarë kanë zotërinjtë/pronarët e tyre, të cilët janë pjesë e regjimit të vetëquajtur ‘Bijtë e Jakobit’.

Sa i përket ansamblit, Elisabeth Moss, Joseph Fiennes, Yvonne Strahovski, e edhe Ann Dowd vijnë nga projekte të pëlqyera për mua – Mad Men, Shakespeare in Love, Chuck, e The Leftovers. Pra, kjo si pikë fillimi, bashkë me temë me ngjyrë post-apokaliptike ka mjaftuar si arsye për të filluar këtë seri, por për të vazhduar më është dashur vetëm pas fitores së Emmy-s (pasi është njëfarë detyrimi për të krahasuar me krejt seritë tjera).

Këtu, karakteri i Fiennes është një zyrtar i lartë i regjimit, gruaja e tij është karakteri i Yvonne, e Elisabeth Moss është shërbëtorja/handmaid. Janë edhe disa tjera shërbëtore emrat e të cilave nisin me parashtesën of-. Dhe janë karakteret e tyre të cilat shkojnë përtej kufijve të durimit të dhunës që i japin vlerën që ka kjo seri.

Por, problemi kryesor është që zgjat shumë. Episodet janë më të gjata që duhet e krejt tema ka mundur të përfshihet në 6 deri 8 episode. Janë dhjetë episode, të gjitha mbi 50 minuta e deri më shumë se një orë. Fotografia është e përshtatshme me temën, aktrimi është i mirë, por mungesa e dialogut teprohet. Nuk them që serialet e heshtura janë të këqija, por teprohet këtu.

Megjithatë, tema, aktrimi, skenari, e fotografia, meritojnë që sezoni i parë të ketë një notë personale: 4/5

 

About Author

Writer?!

You might also enjoy:

%d bloggers like this: