Filmat më të mirë të Tarantinos kanë dy përbërës kryesor – fjalën ‘zezak’ dhe shumë gjak. Filmi i tetë i tij nis me borë (apo dëborë!). Në Amerikën e pasluftës civile, mbajtësit privat të rendit dhe qetësisë publike, policët civil të cilët shpërbleheshin për kapjen e kriminelëve ishin prezent më të madhe – ka shumë filma me kësisoj karaktere të rendit shoqëror. Ky është film i veçantë me këtë temë. Film plot urrejtje.
Wyomingun edhe një herë ka goditur një dimër i pamëshirë. Një karrocë po nget që të arrij në Red Rock. Në të John Ruth – njëri nga më të njohurit në zejen e përmendur më lartë. Me të, Daisy Domergue. Në rrugë, Major Marquis Warren. Kurt Russell, Jennifer Jason Leigh, e Samuel L. Jackson – tre nga tetë urrejtësit që e bëjnë këtë film. John është nisur të dërgoj Daisyn në Red Rock për të marr shpërblimin prej 10 mijë dollarëve. Në të njëjtin mision është edhe Warren i cili ka tri viktima me më pak vlerë. Gjatë rrugës ndeshin në sherifin e ri të Red Rock, dhe të katërtit ndalojnë në kinkalerinë e Minniet, ku i presin edhe katër udhëtarë tjerë që janë ndalur të strehohen nga stuhia që po vjen. Këtu ndodh gjithçka! Ama bash gjithçka që mund të pritni nga një film i Tarantinos.
Tarantino bën punë të mirë në skenar i cili është i zhvilluar me zgjuarsi duke mos lënë asnjë detaj anash. Zotësia e tij vërehet në ndërlidhjen e të gjitha karaktereve me tregimin dhe dëftimin e tij. As regjia nuk mbetet mbrapa duke rifreskuar kujtesën tonë me filmat e tij. Fotografia është shumë e bukur, e mbi të gjitha kolona zanore nga Ennio Morricone veçse i jep lustrimin e përkryer këtij filmi.
Ansambli i aktorëve është i mahnitshëm. Të gjithë kryejnë punën e tyre për merak. Samuel L. Jackson, Jennifer Jason Leigh, e Kurt Russell shfaqen të parët dhe kanë një periudhë më të gjatë para kamerave. Të tretë krijojnë një harmoni skenike për mrekulli e cila arrin të zhvillohet në relacion me karakteret tjera që shfaqen me kalimin e kohës. Jo vetëm këta tre, por edhe të tjerët që paraqiten me kalimin e kohës portretizojnë karakteret e tyre me zell, duke arritur ti përshtatin ata me historinë që tregohet.
Është film i gjatë, ka disa skena që do mendoj se mund të ishin më të shkurtra – vendosja e shufrave për tek tualeti, dhe një pjesë të konsiderueshme në pjesën e dytë të filmit. Ama nuk bëhet i kotë në asnjë moment gjatë 170 minutave që shfaqet. Është Tarantino!
Filmi i tetë i Tarantinos nuk është më i miri që ka bërë ndonjëherë. Por, nuk është aspak zhgënjyes, as për fansat e tij, as për ata të kinematografisë. Përkundrazi, do të ju rekomandoja të shihni të dyja palët – medoemos. Mbetet një rrugëtim interesant me karakteret të cilat të ndërlidhin, po aq sa tregimi. Nota personale: 4/5