Categories
Filma

The Irishman (2019) – Recensim

Telefonat e mençur kanë shkurtuar vëmendjen e njerëzve nga 12 minuta në 8.25 sekonda. Peshku i kuq ka vëmendje prej 9 sekondave. Këtyre statistikave nga viti 2015 mund t’u shtojmë edhe që koha mesatare e një videoje të shikuar në internet është 2.7 minuta. Në këto rrethana, një film prej 209 minutave është e pamundur për t’u shikuar!

Por, nëse marrim veprat e fundit të Scorseses si dhe të Zallian, mund të përfundojmë që është ‘The Irishman’ është më e mira që kanë bërë në dhjetë vitet e fundit, që na jep nuanca të kryeveprave të tyre. Sigurisht që nuk është më i miri film, por mund të konsiderojmë një finale të përshtatshme të Scorseses, Pacinos, Pescit, De Niros, e Keitelit me filmat mafioz.

Tregimi është i gjerë, goxha shumë për një ‘milenial’. Nis me rrëfimin e ‘irlandezit’ Frenk – Robert De Niro, i cili më shumë ngjan në një italian! Ai përfshihet në botën e mafisë së Nju Jorkut nisur nga shoqërimi me Rasell Bufalinon – Joe Pesci. Me zhvillimin e shoqërisë, në rrethin e tyre përfshihet edhe Xhimi Hofa – Al Pacino, i cili si kryetar sindikate i shoferëve të kamionëve, diçka që ishte dhe vet Frenku. Në një vend puro-kapitalist, sindikatat janë ‘armike’ të sistemit, derisa të jesh kryetar i sindikatës më të madhe në vend sigurisht që nuk është edhe një punë e lehtë, dhe e pastër.

Edhe nëse nuk dini paraprakisht për historinë e Xhimi Hofas, nuk do të paraqesë problem në shijimin e filmit. Ndoshta edhe është më mirë të jeni të painformuar. Është një rrëfim i gjatë, i thellë, ndoshta më shumë se që duhet, por të gjithë e dimë që Scorsese është ‘maniak’ i detajeve. Dhe për të sjellë një histori në një film të vetëm, sigurisht që tri orë nuk janë të mjaftueshme. Sidomos kur ke të bësh me dikë si irlandezi.

Dialogët janë të mirë, fotografia edhe më e mirë, me filmin që shkëlqen si në aspekt teknik si në atë kreativ. Ka pasur ankesa për ‘rinimin’ e aktorëve, e ndoshta më mirë do të kishte qenë mënyra që dy aktorë të portretizojnë një karakter në periudha të ndryshme. Megjithatë, më të dobët e shoh ‘italianin’ në vend të ‘irlandezit’ në Robert De Niron. Ose ndoshta është vetëm truri im që është mësuar ta sheh italianin në gjithçka ku shfaqet De Niro.

Ishte një finale, një ‘rinim’ i zorshëm i aktorëve tanë të dashur të cilët kanë definuar një nën-zhanër të filmave, një epokë të kinematografisë. Tani është koha t’i lëmë të qetë, të shijojnë pensionin. Përndryshe do të dalin vetëm komedi të llojit ‘Going in Style’. E ndërkohë Scorsese mund të gjejë ‘muza’ të reja, në DiCaprion e Cannavalen për shembull. Woody Allen e bën qe sa kohë këtë. Sigurisht, edhe gjëra tjera të pakëndshme, por filmat janë të mirë.

‘The Irishman’ sjell nostalgjinë për të gjithë të përfshirët në film – nga ata pas kamerës në Scorsesen e Zallian, deri tek Pacino, De Niro, e Pesci. Është filmi më i mirë që kanë bërë secili nga këta në dekadën e fundit. Nota personale: 5/5