Që nga fëmijëria shoqëria na kërkon që të përshtatemi me standardet që konsiderohen ‘normale’, duke nënçmuar një pjesë të popullatës si të gjymtuar.

Gjymtimi vjen në mënyra të ndryshme, në shkallë të ndryshme, dhe sa më lart në shtresën shoqërore aq më i përkryer duhet të jesh si njeri. Si pjesë e proletariatit, jo që duhet të ndiej keqardhje për belbëzimin e një mbreti, por të një njeriu, babai, dhe një lideri që ka trashëguar barrën të udhëheqë një popull në njërën nga periudhat më të zymta në historinë e shtetit.

Aktrimi i Colin Firth në rolin e mbretit George VI, në pozitë të cilën angazhohet kur i vëllai nuk pranon një gjë të tillë, derisa lufton belbëzimin e tij për të qenë një lider i përkryer është i denjë për Oskar, dhe më shumë.

Harmonia skenike që ka me Geoffrey Rush, i cili vjen në rolin e një asistenti në menaxhimin e të folurit të tij, është ndër aktrimet “shoqërore” më të mira të dekadës së kaluar. Mund ta rendisja në mesin e kombinimeve më të mira skenike të dy aktorëve të cilët shkëlqejnë me paraqitjen e tyre.

Mbresëlënës është skenar i dikujt që ka pasur një histori të ngjashme me karakterin kryesor, David Seidler, derisa regjia e Tom Hooper deri në skenën finale është mjeshtri.

I shpërblyer me Oskar për filmin, regjinë, skenarin, dhe aktorin më të mirë të vitit, duke mposhtur edhe tituj si Inception e The Social Network, tregon për artin dhe mesazhin që mbërthen në vete ky film. Është mëkat që Geoffrey Rush për rol dytësor dhe Alexandre Desplat për kolonën zanore nuk ishin vlerësuar për punën e tyre të jashtëzakonshme.

Ndonëse i konsideruar si befasi atëherë, deri diku, ‘The King’s Speech’ mbetet një film biografik që kombinon artin vizual në të gjitha sferat, nga fillimi deri në fund, dhe mbase është ndër të paktit filma që kanë merituar gjithë shpërblimet gjatë dy dekadave të fundit. Nota personale: 5/5

About Author

Writer?!

You might also enjoy:

%d bloggers like this: