Categories
Televizioni

The Kominsky Method – Sezoni 2 (pa spoilera)

Chuck Lorre është mjeshtri i komedisë thumbuese!

Dhe në perëndim të zenitit karrierës së tij ka gjetur dy karakteret e përkryera për zhanrin e tij në Sendin dhe Normanin.

Historia e këtyre dyve do të duhej të përfundonte nesër, me sezonin e tretë, por Alan Arkin nuk është kthyer për sezonin e tretë, duke më lënë në dyshim nëse do të duhet të kthehem edhe unë.

Karakteri i Alan Arkin, Norman Njullendër si agjenti dhe miku i Sendi Kominskit, një ish-aktor i cili tani punon si një mentor aktimi, ishte ajo që e bënte këtë seri komike. Dhe këtë ia atribuoj Chuck Lorre, i cili di të nxjerrë të qeshura edhe nga momentet më pikëlluese në seritë që ka bërë.

Në një qasje më serioze, sezoni i dytë më shumë përqendrohet në tema të prekshme, sidomos për Normanin, i cili është në udhëkryq si të vazhdojë jetën pas vdekjes së bashkëshortes së tij, adaptimin me jetën e vetmuar dhe tentimin për të dalë nga kjo vetmi. Tek Sendi, kemi refuzimin e tij për të pranuar pleqërinë, dhe mbi të gjitha përzgjedhjet e bijës së tij e cila vendos të dalë me një burrë më në moshë, që e vë Sendin në një pozitë deri diku ironike!

Jane Seymour në rolin e Madelinës – të dashurës së Norman; dhe Paul Reiser në rolin e Martinit, të dashurit të bijës së Sendit ishin shtesa të këndshme në sezonin e dytë, derisa treshja e përhershme – Michael Douglas si Sendi; Alan Arkin si Norman, dhe Sarah Baker si Mindi, e bija e Sendit, kryejnë punën e tyre me zell. Por, për mua një vend të veçantë në krejt këtë seri ka Ramon Hilario në rolin e kamerierit plak, në kurriz të së cilit Norman bën goxha shaka.

Shoh që Kathleen Turner si ish-gruaja e Sendit do të kthehet në sezonin e tretë, derisa do të mungojë edhe Nancy Travis, nga sezoni i dytë, që nuk çon ndonjë peshë në kthimin e një interesimi eventual për të parë me më ëndje këtë sezon. Por, do ta shoh, sa për ta mbyllur një cikël, dhe për të kujtuar skenat e sezoneve paraprake. Nota personale: 4/5