Filmi të prishë!

Dhe prishjen nga filmi e konsiderojë si prishje nga rendi ‘normal’ i shoqërisë, dhe një pasuri personale për mua.

Njëri nga këta prishësit, me një kontribut të madh, ka qenë ‘The Lost Weekend’.

Filmi sjellë Don Birnamin, një alkoolik i kamotshëm, i cili ka lënë alkoolin tash e dhjetë ditë, por epshi po duket që po i kthehet me të madhe. Dhe gjatë një vikendi, kur ai shmang udhëtimin në fshat me vëllain dhe të dashurën e tij, ai kalon një vikend duke rikujtuar jetën e tij të deritashme dhe krejt ato çfarë ka humbur si alkoolik.

Nuk është vetëm një rikujtim i së kaluarës, por edhe një kryqëzatë e një alkooliku i cili bën gjëra të çmendura për të arritur tek shishja e radhës e alkoolit, gjëra që na gërditin alkoolin, dhe njëkohësisht na bëjnë të ndjehemi keq për të gjithë ata që nuk mund të çojnë kokën nga shishja, sepse alkoolizmi, shumë thjesht, është sëmundje, dhe të sëmurit në vend se të gjykohen, duhet të ndihmohen e shërohen!

“Më tkurrë mëlçinë, më prishë veshkat, por çfarë i bën mendjes sime, Net? Heqë thasët e rërës nga balona dhe më lë të fluturoj mbi Niagarën, më bën të ndjehem si Mikelangjelo, Van Gogu, Shekspiri”

Thotë Don, i cili arsyeton alkoolizmin e tij si mjet për të luftuar bllokadën e shkrimit. Sigurisht, për të gjitha gjërat që bëjmë kemi arsyetime.

Don portretizohet nga Ray Milland, duke sjellë dy fytyrat e një alkooliku. Me zell ai sjellë në ekran Donin e kthjellët, një njeri i mirë, i mençur, e i sjellshëm, dhe Donin e dehur, një njeri në vuajtje, i trishtuar, i ndikuar të marrë veprime të këqija. Dhe për këtë, ai shpërblehet me Oskar, ngjashëm si filmi, përfshirë për regji dhe skenar.

Thuhet që filmi ka qenë i kundërshtuar si nga shitësit e alkoolit, si nga organizatat kundër alkoolit. Dhe kjo duhet të jetë një arsye që ta shihni, pasi nuk anon në asnjërën nga këto, por thjesht sjell jetën e zhveshur të një alkooliku.

Aktrim fenomenal, film i përkryer në lidhje me temën që trajton. Nota personale: 5/5