Categories
TV Reviews

The Mandalorian – Sezoni 1

Një seri prej tetë episodesh ku njëri nga karakteret kryesore ka maskë dhe tjetri nuk flet asnjë fjalë, del të jetë ndër seritë më të mira të vitit!

Zakonisht shtjellimi i ngjarjeve dytësore të franshizave të njohura nuk duket të ketë pasur sukses, ose së paku mua nuk më ka lënë mbresa. Kjo vlen sidomos për seritë e animuara të Star Wars, të cilat pa kaluar tetë episode kanë rënë poshtë në listën e serive me më prioritet. Kjo nuk ndodhi tek ‘The Mandalorian’ për disa arsye.

Së pari, Jon Favreau ka shtruar rrëfimin në mënyrë goxha të mirë duke e balancuar nëpër episode, por jo të gjitha. Ka episode ku tregimi devijon në ngjarje dytësore duke lënë kryesoren – mbrojtjen e presë së tij, tashti ndjekur nga mercenarët tjerë. Pra, kemi tregimin e thjeshtë – Mandaloriani do të duhet të mbrojë karakterin më të dashur në televizion për shumë vite, foshnjën Joda.

Jodan e vogël nuk e keni parë vetëm nëse nuk jeni futur në rrjetet shoqërore asnjëherë gjatë dy muajve të fundit! E di që shumëkush ka pritur tërë episodin vetëm që të shoh Jodën, dhe me kalimin e episodeve kjo dëshirë vetëm sa është plotësuar. Njëjtë sikur shtrirja e rrëfimit, ka qenë edhe prania e Jodës. Vetëm edhe një dëshmi për një realizim të përkryer.

Sezon i përkryer ishte edhe në aspektin teknik, marrë parasysh zhanrin dhe formatin e serisë. Dallonte nga seritë tjera me kilometra, dhe nuk mbetej mbrapa as filmave më të mirë. ‘The Mandalorian’ në aspektin teknik, si në atë kreativ pati një sezon të shkëlqyeshëm.

Aktrimi mbetet vetëm në plan të tretë tek sezoni i parë, me Pedro Pascalin të fshehur në maskë, por me një mimikë dhe zë të përshtatshëm për rolin e tij; dhe një kukull në rolin tjetër kryesor. Interesante ishte përzgjedhja e aktorëve dytësor, nisur nga Werner Herzog, Nick Nolte, Giancarlo Esposito, e Gina Carano. Ndonëse me më pak hapësirë se sa Pascal, secili nga ta ishte përshtatur me rolin e tyre.

‘The Mandalorian’ pati një super-sezon që nisi lehtë, përfundoi mrekullueshëm, me një ngritje graduale me çdo episod të kaluar. Standard të lartë kanë vendosur Jon Favreau dhe ekipi për sezonin e dytë. E për sezonin e parë, nota personale: 5/5