Categories
TV Reviews

The Mandalorian – Sezoni 2 (me spoilera)

Para sezonit të katërt të Lost, pata pasur një befasi të mirë – rrjeti i internetit na ishte rritur në 256kbps! Ishte një ngjarje e madhe për fshatin, por për mua, përdorues i Ares, nuk ishte ndryshim aq ‘epokal’!

Lost llogaris të ketë qenë seria që ka përshkruar 2000tat.

Game of Thrones e ka bërë këtë në 2010tat.

The Mandalorian mund t’i zotërojë 2020tat.

Arsyeja është e thjeshtë – baby Yoda fillimisht, e pastaj, zhvillimi i ngjarjes.

Derisa në sezonin e parë kemi pasur një hyrje të matur, të ngadalshme, në këtë të dytin kemi pasur një shpërthim, një zgjidhje të enigmave, si dhe misionit të sezonit të parë – dërgimin e Yodas ku e ka vendin.

Kjo dërgesë, që ishte më ndryshe se që planifikohej në sezonin e parë, doli të ishte një nga momentet më madhështore të sezonit të dytë, ndoshta edhe pika kur gjithçka pëlcet dhe nis të zhvillohet ngjarja ‘lirshëm’.

Me kapjen e foshnjës, kemi Mandon që thithë në seri karaktere tjera dytësore, të cilat kanë shfrytëzuar aq magjishëm momentet e tyre që disa nga to edhe kanë siguruar seri të tyre në të ardhmen.

Angazhimi i Boba Fett e Bo-Katan, rikthimi i Gina Caranos e Giancarlo Espositos, si dhe momentet e Bill Burr, Timothy Olyphant, Horatio Sanz, e Rosario Dawson në rolet e Migs, Kob Vanth, Mithrol, e Ahsoka Tano, shtruan ‘sofrabezin’ për të konsumuar rrëfime nga bota e Star Wars edhe për një dekadë. Kuptohet, nëse realizohen kaq bukur siç po e bënë Jon Favreau.

Nuk mund të gjejë asnjë karakter që nuk ka më ka kënaqur, qoftë edhe antagonist. Nuk mund të gjejë asnjë skenë që më ka shkuar nerva e nuk më ka shtuar adrenalinën, sidomos në kërkim të shpëtimit të baby Yodas. E pastaj, vet baby Yoda. (po t’i them Joda, sikur ia humb magjinë fëmijërore që ka.)

Nuk do besoja që do të gëzohesha të shihja stormtroopers ndonjëherë, dhe kjo ndodhi në episodin kur edhe pamë fytyrën e Pedro Pascal. Çfarë episodi, çfarë momentesh!

Momente të cilët tejkalohen në finale ku kemi një armatë që s’do të duhej të mposhtej, ndaj të cilës dështon edhe plani më i përsosur. Po të zhytem në detaje, do të kthehet në tregim ky recensim.

Thjesht, ka qenë sezon i jashtëzakonshëm, ndër më të mirët në televizion. Është zor të presim edhe një vit e më tepër për sezonin e tretë, por jemi mësuar më parë me dy seritë që përmenda më lart.

‘The Mandalorian’ më ka kënaqur. Nëse vazhdon kështu, atëherë është në rrugën e duhur që të bëhet një ndër seritë më të mira ndonjëherë. Nota personale: 5/5