Categories
TV Reviews

The Marvelous Mrs. Maisel – Sezoni 1

Amy Sherman Paladino është e njohur për krijimin e serive me femra të fuqishme në rolin kryesor – Gilmore Girls, Bunheads. Asnjërën nga to nuk i kam shikuar përtej një ‘pilotimi’ njoftues – një episod, dy maksimum, për të parë nëse ia vlen përkushtim më i gjerë për seriale!

As një episod i plotë nuk më është nevojitur që të përkushtohem në tërësi për këtë seri të Amy Sherman Paladino, emri i të cilës të kujton Jamie Paladinon nga Amy Smart tek filmi ‘Just Friends’ (ah, ku është dimri, boraaaa?).

Okej, ‘The Marvelous Mrs. Maisel’ tash.

Menjëherë të dërgon në vitet e pas-Luftës së Dytë Botërore që më shumë të kujton video-lojën Mafia II se sa ‘Mad Men’. Të dyjat sfidohen lehtë me karakterin e Miriam Maisel, një shtëpiake e martuar me Xhoellin, i cili provon të bëhet komik standupi në një kafene poshtë shtresës së tyre aristokrate, në të cilën për të gjetur një pjesë në programin e mbrëmjes duhet korruptimi i menaxheres së kafenesë, Suzit, me një file gjoksi, ajo pjesa para brinjëve të kaut/lopës. Episodi i parë përfundon me dështimin fatal të shakave të Xhoellit, i cili i zhgënjyer i pranon Miriamit, shkurtimisht Migj, se është duke pasur aferë me sekretaren e tij, Peni Pem, për të cilën menjëherë e braktis.

E dëshpëruar, e inatosur, Migj shkon e dehet, për t’u kthyer në kafene për aktin e saj komik, i cili bazohet rreth ngjarjeve në jetën e saj, në të cilën ka studiuar letërsi ruse me të cilën bën shaka, të cilat vazhdojnë me emrin Peni Pem, dhe jetën e saj rutinë e ndoshta edhe të kotë.

Mund të paragjykohet si një tentim feminizmi, vazhdimi i Migj me jetën e saj të ndarë nga burri, me punë, e tentimin për t’u bërë komike në një periudhë goxha patriarkale. Por, kjo është e fundit që mund të perceptohet nga kjo komedi, njëra ndër risitë më të mira në listën e zhanreve komike të viteve të gjysmë-dekadës së fundit.

Rachel Brosnahan (House of Cards si Rejçëll e The Blacklist si Xholliinë)), në Migj gjallëron një karakter të thjeshtë, në telashe, që me kalimin e kohës, sidomos me aktet e saja komike bëhet shumë i dashur për neve si shikues. Xhoelli (Beni tek Boardwalk Empire), në anën tjetër, mbetet në një peshore të paanë për pjesën më të madhe të sezonit të parë, dhe varësisht prej shikuesit, mund të anoj si tek favoritët ashtu edhe tek të urryerit prej karakterve. Një karakter i dashur është ai i Lleni Brus, i cili bazohet në komikun real me të njëjtin emër.

Këtu është edhe pjesa më intriguese e kësaj serie, pasi më përfshirjen e Lleni Brus, Bob Njuhart, e karaktereve tjera reale, ose të bazuar në persona real, por me emra tjerë, i jep një ‘vërtetësi’ ta quaj, kësaj serie, duke provuar ta afroj me realitetin.

Nëna e Migj është Rozë, e njohur si gruaja e Allen Harper tek ‘Two and a Half Man’ (vallëzimi i Allen Harper pas çekut të fundit të mbështetjes për të është ndër çastet më të paharrueshme nga ajo seri). Karakteri i saj ngjason me atë që ka pasur tek komedia e Charlie Sheen. Ajo është e martuar me Tony Shalhoub, që është karakteri ndoshta më i mirë në këtë seri. Ai është një profesor matematike, derisa babai i Xhoellit është karakteri i Kevin Pollak. Të dytë janë nga familje çifute, që është edhe një nga shtyllat ku bazohet shumica e shakave!

Ansambël i shkëlqyeshëm, ndihmuar jashtëzakonisht nga zëri i Lois tek Family Guy, e Xhenis e Bekit tek Bordertown (komedi e animuar një sezon, por tejet argëtuese), Alex Borstein që vjen në rolin e Suzit. Skenari mbresëlënës, dialogë të këndshëm, komedi e përkryer. Nota personale: 5/5