Trupa legjendare e Monty Python, doajenët e komedisë thumbuese të errët angleze, na sjellin përgjigjet në të gjitha pyetjet e mëdha filozofike të jetës. Për 103 minuta, ata na mësojnë kuptimin e jetës, me satirën e tyre të zakonshme.
Gjithçka nis në një punëtori ku pleq të moshuar ende punojnë për ‘shefin’, në stilin e një anije që lëvizën nga lundrat e skllevërve. Pas ‘çlirimit’ të tyre, kalojmë në një akuarium ku në formë peshqish kemi pjesëtarët e trupës, të cilët pasi thumbojnë ‘përditshmërinë e kotë’ me “Çka ka t’re?” e shohin njërin nga peshqit/miqtë e tyre duke u ngrënë!
Kjo pasohet nga kënga hyrëse që është filozofi në vete duke shtruar të gjitha pyetjet e rëndësishme që pretendohet të ju jepen përgjigjet gjatë minutave në vazhdim.
Pjesa tjetër e filmit vazhdon me anë të skeçeve të ndara në pjesë që nisin nga origjina e jetës, kalojnë nëpër luftën për jetën, deri në fund të jetës. Pra, është një koleksion i skeçeve me të njëjtën ide e realizim, vetëm temë e formë të ndryshme.
Graham Chapman, John Cleese, Terry Gilliam, Eric Idle, Terry Jones, e Michael Palin, janë po të njëjtit që i kemi parë në produktet e mëhershme të Monty Python, ende në formën e tyre më të mirë.
Qëllimi është i qartë dhe provon të përçohet në çdo skeç e skenë, ‘kuptimi i jetës’ me anë të ngjarjeve të ndryshme nga jeta. Sigurisht, shumica janë bizare, të fëlliqura, jashtë çdo normaleje, të kamufluara si një tentim për të zhveshur normalitetin e ngjarjeve dhe miratimin e tyre pa ndonjë qasje kritike. Qëllimi është që ta bëjë shikuesin të shohë se sa bizare e të çoroditura janë ato që konsiderohen ‘normale’ dhe sa të thjeshta e padrejtësisht të gjykuara janë ato që konsiderohen ‘jonormale’.
Si filmi i fundit i trupës, ‘The Meaning of Life’ ia del të jetë një finale e denjë për Monty Python. Nota personale: 4/5