Categories
Filma

The Miracle Season (2018) – Recensim

Nëse pak e përcillni sportin amerikan, e dini që mrekullitë nuk janë aq të rralla. Dhe disa prej tyre nuk ndodhin vetëm në ligat profesioniste dhe aspektin kombëtar, por edhe në garat lokale dhe të ‘dorës së dytë’. I tillë është edhe tregimi për ekipin e femrave në volejboll të Iowa City West High School.

Filmi i bazuar në ngjarje të vërtetë, sjell historinë e Caroline Found, e cila është njëra ndër volejbollistet më të mira të ekipit të Trojanëve të cilët kanë fituar titullin sezonin e kaluar. Tani, një sezon më pas, ato provojnë të përsëritin suksesin kundër rivaleve të City High. Në fillim të sezonit, Caroline mëson se nëna e saj e sëmurë nga kanceri me gjasë s’do të pres finalet dhe titullin e eventual.

Një natë, ajo lë një aheng më herët që të vizitojë nënën e saj në spital. Por, ajo gjatë një aksidenti me një motoçikletë me pedale humb jetën, duke lënë të tronditur të gjithë. Dhe këtu nis rruga drejt mrekullisë e rënduar më shumë nga pasojat psikike të humbjes së një shoqe e një familjare, se sa mungesa e një lojtare kyçe. Pa marrë parasysh rezultatin përfundimtar, ky sezon, aftësia për të dalë në fushë, kthehet në një mrekulli, e cila shoqërohet nga kënga e njohur e Neill Diamond – ‘Sweet Caroline’.

Pas përfundimit të filmit, dalin edhe personat në të cilët janë bazuar karakteret e këtij filmi, të cilat portretizohen nisur nga Helen Hunt si emri më i njohur i ansamblit shoqëruar edhe nga William Hurt në rol dytësor. Në rolet kryesore janë lojtaret të udhëhequra nga Erin Moriarty, të cilën mund ta njihni nga seriali ‘Jessica Jones’.

Një film inspirues, i mirë, i lehtë, familjar. Nota personale: 4/5