Është një video në YouTube për tre minutat më të sinqertë në histori të televizionit. Dhe nëse në fund të asaj videoje që zgjatë nja dy minuta më pak se të lexoni këtë recensim nuk keni vendosur të shikoni ‘The Newsroom’ atëherë nuk besoj që do të vendosni ta shikonit pas këtij shkrimi.

Si idealist dhe maniak i televizorit, gjithmonë kam parë mediat si një mënyrë për të pasuruar jetën e një njeriu në të gjitha aspektet – që nga informimi e edukimi, deri te argëtimi.

Bota të ndryshon kur e kupton që je vetëm një konsumator, dhe vlera jote matet me sa para ke në kuletë! Sot, kështu jemi te mediat tona, njerëz që duhet të blejnë produkte të dobëta, të merren me gjëra të kota, të jenë sa më të marrë, dhe të veprojmë ashtu siç na thonë ekspertët të cilët as familja e tyre nuk i shikon sepse e dinë sa të shitur e të shpifur që janë.

The Newsroom është seri për një program lajmesh në një kanal fiktiv amerikan. Moderatori i kanalit është Will McAvoy, një republikan kontrovers, i zorshëm për të bashkëpunuar, por jashtëzakonisht i përcaktuar në idealet e një gazetari që kërkon të ofrojë të vërtetën e plotë, të pacenuar nga asgjë dhe për asgjë.

Jeff Daniels luan rolin e Will, derisa jeta e tij profesionale rrokulliset kur në program angazhohet ish-e dashura e tij MacKenzie, portretizuar nga Emily Mortimer.

Është një kast aktorësh që sjellin karaktere të cilat nga episodi i parë do gjejnë simpatinë e shikuesit, kryesisht për shkak se duhet të durojnë Willin, por edhe sepse janë të çiltra, ashtu siç është misioni i programit ‘News Night’.

Në regji të njërës nga mendjet më të zgjuara të televizionit e filmit – Aaron Sorkin, skenari është në një linjë me ato që ka bërë më parë. Janë tema serioze, që na japin një pasqyrë se sa imagjinar ka mbetur sot definicioni i televizionit dhe mediave në përgjithësi.

Derisa shumica e temave përqendrohen në sjelljen e një të vërtete që shumica dërrmuese e injoron, problemet që u dalin nga kjo aktorëve të përfshirë në këtë mision, Sorkin si zakonisht përfshinë edhe jetën personale të karaktereve sa për të çlodhur shikuesin, por edhe më shumë për t’i thjeshtuar karakteret në persona që mund t’i hasim në jetën e përditshme.

Episodet e sezonit të parë kanë të bëjnë me tema që kanë dominuar fillimin e viteve 2010ta sidomos në publikun amerikan – rrjedhja e karburanteve në gjirin e Meksikës, tërmeti në centralin nuklear në Fukushima, revolucioni në Egjipt, sulmet në Siri, problemet me borxhin publik dhe vrasja e bin Ladenit.

Sigurisht me sezonin e dytë dhe të tretë tretet edhe sasia e temave kontroverse për t’u trajtuar, derisa seria më shumë përqendrohet tek jeta private e karaktereve kryesore dhe ‘luftës’ ndërmjet redaksisë dhe pronarëve të kanalit sa i përket politikës që duhet të ndjekin.

‘The Newsroom’ është ndër seritë më të mira kushtuar gazetarisë dhe duhet të shikohet patjetër nga çdokush që merret ose aspiron të bëhet gazetar i njëmendtë. Nuk mund të mos përmend që sezoni i fundit paksa mbetet mbrapa cilësisë së të parit, i cili është ndër sezonet më të mira në TV. Nota personale: 5/5