Categories
Filma

The Passion of Joan of Arc (1928) – Recensim

‘Nuk mund të dini historinë e filmit pa zë, nëse nuk keni parë ‘La pasion de Jeanne d’ Arc’ të Carl Theodor Dreyer’

Kështu e definon filmin e vitit 1928, kritiku i njohur amerikan, Roger Ebert. Dhe kjo mund të jetë e vërtetë nëse bazohemi në faktin se tek ne shumica kanë parë vetëm filmat pa zë të Charlie Chaplin, e ndokush edhe të Buster Keaton. Të dy mjeshtrit e komedisë, padyshim që na japin një kënaqësi dhe joshje për filmat pa zë. Kjo nuk ndodh assesi me ‘The Passion of Joan of Arc’.

Filmi i regjisorit danez, Carl Theodor Dreyer, sjell pamje tmerruese me fytyrat e afërta e frikësuese të gjykatësve dhe pjesëtarëve tjerë të rendit ligjor në gjykimin e Zhanës, i cili nisi para 591 viteve më 9 janar të vitit 1429. E fytyra e Zhanës sjell një 19 vjeçare të trishtuar nga gjykimi për herezi (kundërshtim i ligjeve kishtare), e cila predikonte të ishte e drejtuar nga Zoti. Kjo kishte inspiruar ushtarët lokal të fitonin disa beteja, të cilat edhe mund t’i keni komanduar ju nëse keni luajtur Age of Empires II. Nga kjo lojë do të kishit mësuar për historinë e saj më shumë se në librat e historisë që shpjegohen në shkollat tona.

Si një film pa zë, sekuencat bardhë e zi me fytyra frikësuese dhe fytyrën e frikësuar të Zhanës nuk do të ju japin assesi një kënaqësi që ju japin filmat komedi bardhë e zi, e as shumica e filmave tjerë të këtij zhanri, pa zë. Aq më pak kur në shumicën e rasteve thjerrëza e kamerës është e mbuluar në tërësi nga fytyra e karakterit në fjalë.

Është pak më i gjatë se komeditë, por më i shkurtër se sa dramat e asokohe. Sigurisht ka skena ndërlidhëse gjatë gjithë procesit të gjykimit, i cili nuk zhvillohet vetëm në sallë. Njëjtë as nuk janë të gjitha skenat fytyra njerëzish që do të ju pushtojnë tërë ekranin. Por, është një senzacion në vete marrë parasysh kohën e realizimit. Është i veçantë në atë botë të filmave. Pos për ndonjë të pasionuar të madh të filmave, studiues filmi, ose historie, s’do të ishte ndonjë film interesant. Mund ta gjeni edhe në YouTube, por jo versionin e plotë. Nota personale: 4/5