Categories
Filma

The Perks of Being a Wallflower (2012) – Recensim

Pse nuk shkruajmë letra?

Për shkak se dinamika e jetës na shtynë që të marrim përgjigjet, dhe të përshpejtojmë gjithçka nga frika që mbetemi mbrapa?!

“You can’t just sit there and put everybody’s lives ahead of yours and think that counts as love.”

Disa gjëra sa më shumë që flenë, aq më të qarta bëhen, e shumë gjëra që na rëndojnë kokën, në letër duken si pendël. Por, prapë, nuk shkruajmë. E disa, as letra para vetëvrasjes!

Është vetëvrasja e mikut të tij që fillimisht ka traumatizuar Çarlin, një introvert, i cili nis gjimnazin me frikën si do të mbijetojë periudhën formuese të karakterit të tij përkundër rrethanave që e rrënojnë në aspektin psikologjik!

Ky film i Stephen Chobskyt, që në plan të parë mund të duket si një dashuriçkë tinejxherë, në thellësi shpërfaqë depresionin dhe stresin post-traumatik që ka karakteri kryesor që vjen në rolin e Logan Lerman. Ai takon Patrikun dhe Semin – Ezra Miller e Emma Watson – vëlla e motër nga prindër të ndryshëm, të cilët kanë një jetë të lirë, në të cilën e pranojnë edhe një introvert me të kaluar të trazuar psiqikisht.

Nëpërmjet karakterit të Çarlit kryesisht, por edhe me anë të karaktereve të Sem e Patrik, filmi na sjell disa perspektiva të ngjarjeve psiqikisht traumatike. Që të tre aktorët kryejnë një punë të shkëlqyeshme në jetësimin e këtyre karaktereve me problemet e shprehura në film, që ndonëse nisin në PTSD – stresin pas ngjarjeve traumatike – nuk anashkalojnë as depresionin, anksiozitetin, dhe adaptimin e personave me këso ‘probleme’ në shoqërinë e përditshme.

Në veçanti e shohim Çarlin i cili pas traumave të tija, heziton të lëshohet në shoqërinë që e pranon përkundër ato që ka përjetuar, dhe rrezikon të përjetojë përsëri; hezitimin për të rënë në dashuri; për t’u angazhuar në jetën shoqërore. Ka edhe shumë momente që flasin për ‘dashurinë e dhunshme’ të disa karaktereve, dhe ngujimin e tyre në atë që siç thotë edhe vet Çarli, ‘ne pranojmë dashurinë që mendojmë se e meritojmë’.

PTSD, anksioziteti, depresioni, shpërdorimi i substancave!, rehabilitimi nga to, ri-integrimi në shoqëri, lëvizja para, shtjellohen nëpërmjet skenarit që vizualisht ka goxha çaste interesante, derisa muzika e ngrit këtë film në një shkallë edhe më të lartë falë super-hitit të David Bowie, por mendoj që ajo çfarë mbetet e nënvlerësuar nga ky film është skena e vallëzimit me ritmiken që e thirr Ajlinën të vallëzojë! Nota personale: 5/5