Ky film është i kotë, i gjatë, i heshtur, i zymtë, i pakuptimtë… humbje kohe.
Kështu do ndihen shumica, dhe nuk do jenë gabim. Filmi kërkon shumë përkushtim dhe përqendrim për të shijuar bukurinë që e ka në shkrim dhe shtjellim të ngjarjes, e cila nuk zbulohet as në fund të filmit.
Fundi i mbetet shikuesit ta përcaktojë e ta komentojë, por kjo nuk garanton një kënaqësi më të madhe se sa nga ajo që proklamohet në fjalinë e parë të këtij recensimi.
Ngjarja zhvillohet në njërin nga shtetet më të nënçmuara amerikane, Montana, në vitin 1925. Dy vëllezër, Fill dhe Xhorxh, kanë një fermë që menaxhojnë rehatshëm. Kjo rehati prishet kur Xhorxh vendos të lidhet me Rozën, e vejë me një bir të quajtur Piter, që të dy këta persona non-grata për Fill.
Tollovia nis kur Fill vendos t’u bëj ferr jetën Rozës dhe Piterit, me fuqinë e tij prej “qeni”.
Nuk është film i dhunshëm, grafikisht, ndonëse në aspekt psikologjik mund të konsiderohet i tillë deri në një shkallë. Por, gjërat nisin të lëvizin në aktet e pjesës së dytë, që i jep kuptim filmit, duke arritur në një finale interesante që edhe zbulon nënkuptimin e titullit, nëse ky ka qenë qëllimi i shikuesit.
Filmi është i mirë, si teknikisht, si artistikisht. Aktrimi është në nivel, ndonëse duket sikur Benedict Cumberbatch i “jep shumë zor” në rolin e Fill. Jesse Plemons është i njëjti si gjithkund, në rolin e Xhorxh, derisa Kirsten Dunst në rolin e Rozës ndoshta nuk arrin të krijojë atë lidhjen që do të duhej ta bënte ky karakter, së paku me mua si shikues. Dhe së fundmi, Kodi Smit-McPhee – i panjohur për mua deri këtu – bën një punë mbresëlënëse me karakterin e Piter.
Është film i mirë, dhe çereku i fundit e arsyeton tërë ato lëvdata që po i merr. Por, a ia vlen krejt koha paraprake për atë pjesë. Për mua ia vlejti, por shumë veta mund ta lënë më herët, dhe kanë të drejtë. Nota personale: 4/5