Categories
TV Reviews

The Queen’s Gambit – Sezoni 1 (pa spoilera)

The Queen’s Gambit – Sezoni 1 (pa spoilera)

Aq shumë është diskutuar kjo seri sa që ndoshta do të duhej ta bëja me spoilera, pasi nuk besoj që ka mbetur ndokush që nuk e ka parë ende. Sidoqoftë, rregullat janë rregulla, qofshin edhe personale, dhe sezoni i parë, si gjithmonë, është pa spoilera!

Ka shumë gjëra që më kanë pëlqyer tek kjo seri.

Fillimisht, kohëzgjatja prej më pak se 7 orëve. Dhe kjo shpërndarje e historisë nuk ka lënë shumë kohë për të humbur, duke u përqendruar mjaftueshëm në secilën fazë të jetës së Beth Harmon.

Vendosja e serisë në Amerikën e Luftës së Ftohtë, skenografia e viteve 1960ta, me të gjitha avantazhet e njeriut si një qenie më emocionale se sa teknologjike që është sot.

Fundi i fundit. Jo fundi, por mesazhi që mund ta merrni në fund, që këtu do të ishte spoiler, dhe dyshoj që do të ishe i pranueshëm apo i përkrahur nga shumica këtu. Sepse fundi nuk është fund! (e shpjegoj në instagram)

Dhe mbi të gjitha, seria më ktheu në të 90tat e mija, kur luaja shah me mësuesin, i cili ishte më i hareshëm se sa zotëri Shaibel; kur këpusja ndeshjet që vinin me gazetat sportive në gjuhën e okupatorit; dhe kur e lija lojën sepse thjesht nuk kisha një kokë që të luaja shah as në nivele fillestare, e lëre më si Beth.

Anya Taylor-Joy, në rolin e shahistet me një fëmijëri të komplikuar, bënë një punë të shkëlqyeshme, duke qëndruar ashtu e ndrojtur për pjesën më të madhe të serisë, pa shfaqur shumë emocione, qoftë edhe në skena emocionale. Dhe për këtë, do e arsyetonim me rrethanat e rritjes dhe zhvillimit të saj, personal dhe profesional.

Mbresëlënës ishte edhe aktrimi i dy vajzave që portretizuan Beth si fëmijë. Bill Camp si zotëri Shaibel dhe Marielle Heller si nëna adoptuese e Beth, kanë pasur një harmoni skenike që më ka pëlqyer shumë, sa për shkak të kontrastit fillestar aq edhe për shkak të distancës, të cilën i pari e ruan ndërsa e dyta e shkrinë, ndaj Beth.

Pastaj shahistët, kundërshtarët, zhvillimi i karaktereve të tyre, sidomos ai i Jojen të GoT, ishte bukur i sendërtuar.

E skenari, duket se që nga fillimi e ka idenë e qartë çfarë do të ndodhë, kur do të ndodhë, dhe sa duhet të vonojë e mos të teprohet. Fotografia e kostumet, të përkryera! Seria në vete, madhështore. Nota personale: 5/5