Categories
Filma

The Shawshank Redemption (1994) – Recensim

Dy muaj në izolim mund të ju ‘prishin’ dhe të ju bëjnë nga ata që preferojnë të rrinë brenda. Në fakt, shkenca e thotë që 21 ditë mjaftojnë për të adaptuar një zakon, kështu që, vetëm jeni kthyer në introvertë!

Për dikë 21 ditë mund të duken si 21 vite. E njëzet vite burg për Endin, i akuzuar për vrasjen e gruas së tij dhe dashnores së saj, të cilin faj e mohon, kanë qenë mjaft për të ndryshuar një burg e një shoqëri të përjashtuar.

Si një bankier i zoti, larg botës së krimit, burgu për Endin nuk do të jetë një kohë e lehtë. Jo deri kur pajtohet me fatin, dhe humb shpresën, që është një gjë e rrezikshme që mund të çmend njeriun, sipas mikut të tij, Bojd Reding – Red.

Miqësia e këtyre dy të burgosurve, me histori të kundërta, si temë kryesore e filmit, e bënë ‘The Shawshank Redemption’ filmin më të vlerësuar në renditjen e IMDB’së në 14 nga 24 vitet, të palëkundur në 12 vitet e fundit nga pozita e të parit. Dhe me plot mëritë, marrë parasysh sidomos filmat tjerë së paku në Top 10.

Filmi është i bazuar në veprën e Stephen King, dhe fund e krye vërehet stili i punës së tij. Kemi karakterin kryesor i cili nis të adaptohet në jetën e re, plot torturë e dhunë, një jetë për të cilën nuk ishte përgatitur e kalitur jashtë. Dhe në vend që të ndryshojë, t’i dorëzohet shumicës dhe kulturës së burgut, ngadalë por me durim, ai vendos të ndryshojë për të mirë jetën e të burgosurve, duke bërë miq në të gjitha shtresat e të pranishmëve aty – të burgosur e kujdestar.

Në përgjithësi, ‘The Shawshank Redemption’ mbetet një nga filmat me një thelb e mesazh goxha stoik në vete. Është inspirim i një njeriu durimtar e me mendësi të çeliktë e të palëkundur. Është një riblerje e shpirtit, e karakterit, të dënuar pafaj.

Frank Darabont ka bërë një punë të shkëlqyeshme në adaptimin e veprës e realizimin e saj vizual. Nuk guxojmë të mos përmendim fotografinë e Roger Deakins e muzikën e Thomas Newman, dy pjesë që e bëjnë këtë film edhe më madhështor. Por, është aktrimi i Tim Robbins, dhe harmonia skenike që ka me Morgan Freeman që e bëjnë këtë film atë çfarë është – për shumëkënd, këto 12 vitet e fundit, më i miri film.

Të dy aktorët përshtaten për mrekulli me karakteret e tyre, e falë autorit të veprës, na lënë edhe citate të paharrueshme e gjithmonë aktuale. Përfundimisht, ‘The Shawshank Redemption’ është njëri nga filmat më të mirë të bërë ndonjëherë.

Nëse nuk e keni parë deri sot, është mirë ta shihni gjatë kësaj kohe izolimi. Sepse, dikur do të përfundojë kjo periudhë e mbylljes, do të bije edhe shi, por, ngjashëm si filmin, si izolimin, si shiun, disa vetëm i shikojnë, e disa ndjejnë e gjejnë të mirat në secilën situatë jete. Sepse shpresa, ndoshta edhe nuk na çmend. Nota personale: 5/5