Një vrasës serik po vret gra të reja në pjesën lindore të SHBA-ve, të cilave po ju merr lëkurën! Për të mësuar si të kapin këtë vrasës, një stazhiere e re e FBI-së, Kllarisë Starlling, në tentim për të avancuar karrierën e saj, nis të merr në pyetje në vrasës tjetër serik – Hanibal Llekterin, i cili i ha viktimat e tija!

Nëse nuk ju duket i llahtarshëm përshkrimi, atëherë filmi do të arrijë këtë, pa gajle!

Filmi, për pjesën më të madhe përqendrohet në dialogun ndërmjet Kllarisës – Jodie Foster, dhe Dr. Hanibal Llekterit – Anthony Hopkins. Aktrimi i të dyve, si karaktere krejt të kundërta – vrasës serik dhe agjente, është madhështor, sigurisht me Hopkinsin shumë nivele më lart.

Anthony Hopkins, me Oskarin e vetëm në karrierë deri tani, portretizon në mënyrë madhështore rolin e një vrasësi serik me titull doktor i psikiatrisë! Sjelljet e tija në kontrast me ato të vrasësve tjerë serik, historia e tij si një psikiatër, çarmatos çdokënd që provon të deshifrojë mendjen e tij të prishur! Rrjedhimisht, kemi një pozitë dominuese të tij ndaj Kllarisës, të cilën e merr si çirake në profesionin e tij, për të kapur një ‘koleg’ apo për të bërë një ‘vrasëse’ tjetër, nuk e dimë, as nuk e kontestojmë, dhe ndoshta me të drejtë.

Ndonëse aktrimi i Anthony Hopkins është më e mira nga ky film, një aktrim historik, ‘The Silence of the Lambs’ ka edhe shumë anë tjera të cilat ndihmojnë këtë performancë të tijën duke e bërë filmin si njërin nga trilerët psikologjik (për mua edhe horrorat), më të mirë që janë prodhuar deri sot.

Skenari është mahnitës, me dialogë ndërmjet dy karaktereve kryesore, e të cilat nuk zënë as çerekun e kohës totale të filmit, shtjellimin e ngjarjeve dhe misionit të Kllarisës, e mbi të gjitha, kamerën që për të na tmerruar edhe më shumë, shpesh ‘mbushë’ ekranin me fytyrën e frikshme të Hanibal Lekterit, dhe atë të ndrojtur të Kllarisë Starling.

Truri juaj nuk do të jetë i njëjtë pas këtij filmi. Dhe jo vetëm truri! Nota personale: 5/5