Kemi karaktere me bollëk të cilat kanë pushtet, janë mizor, të pashpirt, por krejt këto ju arsyetohen me një “të metë” që shtjellohet gjatë episodeve.
Ky shtjellim, ky arsyetim, nuk bëhet te asnjëri që kam parë më mirë se sa te The Sopranos.
Për shkak të kohës së realizimit, Tony Soprano mund të ketë qenë inspirim për shumë karaktere me histori të ngjashme por rrethana të ndryshme pas tij. Dhe pa rezervë mund të them që asnjëri nuk ka arritur të ngërthejë në vete një përshkrim, një individ si Tony Soprano.
Dhe po, seria është për Tony Sopranon. Ai është vet seria!
Për ata që nuk e dinë, Tony Soprano është një shef mafie në Nju Xhersi, i cili një ditë pas një aksidenti psikosomatik vendos të vizitojë një psikologe. Pasi zanati i psikologes kërkon mirëbesim, kalon një kohë deri të dy të krijojnë një besim të ndërsjellë dhe të ruajnë sekretet të cilat janë si një dhomë dëftimi, por prapë, e limituar.
Duhet të pranoj që këto çaste – bisedat e Tonyt me Xhenifer janë ato që e bëjnë The Sopranos një super-seri.
Po të mos ishin këto biseda, atëherë do të kishim vetëm një seri për mafinë dhe marifetet e tyre. Gjithashtu, këto biseda dhe shumë momente nga jeta private e Tonyt, e bëjnë atë të jetë njëri ndër karakteret më të dashura në histori të televizionit.
Por, asgjë më shumë se aktrimi i James Gandolfinit.
I papërshkrueshëm!
Nga ku nis e ku përfundon është një rrugëtim që nuk mund të përshkruhet në një recensim. Por, ngjarja ka një kohështrirje interesante, me shumë të papritura, por, ka edhe momente që më kanë prishur qejfin. Por, finalja është top, ndonëse mund ta përshkruaj si disa nga minutat më stresues në përcjelljen e serive televizive.
Nga karakteret dytësore, Sil është aty në krye, dhe pastaj tjerët. Tek secili, pak a shumë gjejmë një Tony Soprano, por me shumë më pak detaje dhe më pak hapësirë. Në fund të fundit, të gjithë janë njerëz fati i të cilëve është shkruar shumë kohë para se të lindnin, dhe krejt çfarë duhet të bëjnë është të vazhdojnë të shkruajnë në librin që është hapur nga dikush tjetër dhe do të mbyllet nga dikush tjetër.
Disa kërkojnë një rrugëdalje, por edhe nuk janë të sigurt se çfarë do të jenë alternativat, nëse do të ketë një të tillë. E di, mund të jetë një temë e shtjelluar në vija të holla edhe në seri tjera, por jo në këtë ambient, jo me këto karaktere, jo me këtë zell!
The Sopranos mund të jetë njëra ndër dramat më të mira në histori të televizionit, por prapë mbetet mbrapa karakterit që ka krijuar James Gandolfini. Nota personale: 5/5