Categories
Filma

The Terminator (1984) – Recensim

Nëse do të udhëtonit në të kaluarën për të ndryshuar të tashmen, çfarë do të bënit?

Shumica nëpër filmat ‘hollivudian’ thonë që do ta vrisnin Hitlerin si fëmijë, por kush është ai bashkëkombës i yni pa të cilin mendoni që do të ishim më mirë sot, sikur mos të ekzistonte?

Me një qëllim të tillë, një cyborg – gjysmërobot e gjysmënjeri, a si të doni definojeni – dërgohet nga viti 2029 në vitin 1984, për të vrarë nënën, e cila do të lindte djalin i cili do të mbante në duar fatin e botës post-apokaliptike të vitit 2029. Të njëjtin udhëtim e bën edhe një ushtar i Rezistencës, me qëllimin e kundërt me Terminatorin.

Kemi një luftë njeriu kundër makinës, që do të kemi edhe në shumë filma tjerë pas këtij, përfshirë edhe nga po kjo franshizë. Por, ‘Terminatori’ mbetet një film që definon këtë nën-zhanër edhe për shkak të realizimit teknik e artistik.

Ashiqare është pjesa teknike që del në pah të parë gjatë kësaj beteje, me Terminatorin si një makinë që nuk mund të shkatërrohej në vitin 2029, e lëre më në vitin 1984 që rrjedhimisht do të duhej të ishte më e ngecur në zhvillimin teknologjik. Dhe është ky disavantazh që njeriu ka kundër një makine që vjen nga gati gjysmë shekulli më vonë në kohë, që i jep adrenalinën kësaj lufte fund e krye.

Lufta e drejtpërdrejtë me Terminatorin, por më shumë tentimi për të ikur e fshehur nga ai duke provuar të shpëtohet Sarah Kanër, na bënë të ndjehemi sikur jemi pjesë e këtij misioni të Kajll Riiz për të shpëtuar botën. Sigurisht që Michael Biehn e Linda Hamilton luajnë me zell rolet e tyre, por të jesh robot, ani pse mund të kesh muskujt që të bëjnë të dukesh si një mbinjeri, është diçka më e madhe, prandaj Arnold Schwarzeneger është i hatashëm, por jo në rolin e karrierës së tij, ndonëse mund të themi që ky rol i definon karrierën.

Njëkohësisht, mendoj që është njëri ndër filmat më të mirë të realizuar të James Cameron, i cili bën regjinë dhe është pjesë e treshes së skenaristëve.

Edhe sot, The Terminator mbetet ndër filmat më të rëndësishëm në zhanrin e luftës kundër robotëve. Ndoshta një ditë mund të mbetet vërtet një inspirim për një luftë të tillë. Shpresojmë që mos të jetë kështu. Nota personale: 5/5