Nganjëherë hasim në ide të mira në filma, por të cilat nuk shtjellohen në mënyrë të përsosur. E tillë është ideja pas filmit ‘The Tomorrow War’.
Në botën që vjen në këtë film, një ditë zbarkojnë një grup i njerëzve që vijnë nga e ardhmja, viti 2051, kur njerëzimi po përballej me një specie vrastare të alienëve. Dhe e vetmja mënyrë për të shpëtuar botën është të transportojnë ushtarët nga viti 2021, në vitin 2051, që të bashkohen në luftë. Ne do të ndjekim rrugëtimin e një ushtari të tillë.
Dan Forester (Chris Pratt) është një mësues gjimnazi, i cili udhëton në të ardhmen me qëllim që të krijojë një botë të sigurt për të bijën e tij.
Udhëtimi në të ardhmen nuk më ka pëlqyer si ide, ndoshta për faktin që mendoj se kanë provuar të mbesin sa më real sa i përket këtij transporti. E në aspektin e historisë, ky udhëtim do të bëjë që Dan të ndihmojë një shkencëtare në të ardhmen, dhe të sanojë lidhjen me babanë e tij.
Yvonne Strahovski (Chuck) e J.K. Simmons vijnë në këto dy role.
Filmi është aksion, aventurë, dhe sigurisht fantastiko-shkencor. Gjithashtu provohet të shtyhet para edhe ideja e një drame familjare, gjë që për mendimin tim e zgjeron dhe e le pa identitet të qartë filmin. Ndoshta pse realizohet nga një regjisor që debuton sa i përket regjisë së filmit jo-të animuar, Chris McKay, dhe skenar të Zach Dean, një emër anonim në kinematografi.
Filmi do të ishte një film (nën)mesatar po të mos ishte buxheti enorm dhe marketingu i ‘tepruar’ që i ka bërë Amazon Prime Video, në tentim për të zgjeruar ofertën e tyre të titujve origjinal.
Më duhet të pranojë që jam zhgënjyer. Nuk më ka pëlqyer më shumë se të marrë notën personale: 2/5