Categories
Filma

The Treasure of Sierra Madre (1948) – Recensim

Nga 118 elemente në sistemin periodik, janë vetëm tetë të konsideruara si metale fisnike, të cilat nuk janë helmuese, janë stabile, dhe nuk reagojnë me tjerat, si 110 tjerat. Nga këto 8 metale fisnike, 6 janë gati të pamundura për tu gjetur në natyrë e edhe për t’u shkrirë për t’u kthyer në monedha. Dy të mbeturat janë argjendi dhe ari. Dhe ari është i vetmi që edhe një mijë vite po të qëndrojë nuk humb cilësinë dhe vetitë.

Për këtë arsye, Fredi dhe Bob ia mësyjnë Sierra Madres për të gjetur thesaret e arta, njëjtë sikur qindra e mijëra amerikanë gjatë pjesës së parë të shekullit të kaluar. Ndoshta mund të ju kujtohet komedia e Charlie Chaplin, ‘The Gold Rush’, por për dallim prej saj, kjo nuk është komedi.

Realizuar nga John Huston, që ndoshta edhe është vepra e tij më e mirë artistike, ‘The Treasure of Sierra Madre’ sjellë një aventurë klasike në gjah për thesar, e cila nuk i nënshtrohet në veçanti asnjë periudhe e as kësaj të përmendur në film, duke ia dalë të ndjek lakminë e qenies njerëzore që nga krijimi e deri së paku në të tashmen.

Udhëtimi i Fredit pasqyron një njeri të zakonshëm, pjesë e shumicës mëkatare të përlyer me lakminë. Bashkë me Bob nisën për në malet e Sierra Madres për të gjetur arin, duke marrë rrugës edhe një kërkues lokal – Hauardin. Rruga për tek thesari nuk është vetëm një rrugë e mundimshme fizike me pengesa nga më të ndryshmet, përfshirë banditët lokal. Rruga për tek majat dhe thesari është një rrugë shpirtërore që sfidon emocionet dhe karakteret e që të tre udhëtarëve.

Humphrey Bogart vjen në rolin e Fredit; Tim Holt në rolin e Bob Kurtin; e Walter Huston në rolin e Hauard. Ky i fundit është vëllai i regjisorit, John Huston. Dhe është Walter Huston i cili me aktrimin e tij lë në hije gjithçka në këtë film. Ka një rol që e mishëron me përsosmëri duke i dhënë jehonën që ka filmi. Si rol dytësor, Walter Huston i jep shkëlqim edhe aktrimit të shkëlqyeshëm të Humphrey Bogart, por askush s’mund të jetë më krenar se John.

Për mendimin tim, aktrimi i Walter Huston tek ‘The Treasure of Sierra Madre’ është ndër më të mirët në histori të kinemasë si rol dytësor. Por, filmi ka edhe një mesazh e realizim të mirë, si teknik si artistik, duke e bërë në përgjithësi një produkt i shkëlqyeshëm kinematografik. Nota personale: 5/5