Categories
Filma

The Trial of the Chicago 7 (2020) – Recensim

Titulli i filmit, sikur ky, nganjëherë duket të jetë më i komplikuar se sa vet filmi.

Edhe përshkrimi ‘historia e 7 personave në gjykim për nxitjen e revoltës në Konventën Kombëtare Demokratike të vitit 1968, në Çikago,’ – nuk është aq i thjeshtë. Pra, 7 veta në gjykim, mbrojtja e prokuroria, dëshmitarët, dhe po bëhen dhjetëra karaktere.

Dhe ashtu është!

Por, krejt thjeshtohet falë mjeshtrit të film-bërjes, Aaron Sorkin, i cili është vlerësuar nga akademia në dekadën e fundit duke siguruar katër nominime për Oskar, si dhe triumfin për ‘The Social Network’. Por jo për filmin e tij më të mirë, e puna e tij në televizion është edhe më madhështore.

Aaron Sorkin është ndër film-bërësit më të dashur për mua, për shumë arsye. Por, ndër më të thjeshtat është që pa marrë parasysh zymtësinë e temës, vuajtjet e karakterit, ai nuk mund ta lë atë të fundoset në pikëllimin e tij, prandaj edhe në momentet më të errëta të tij në film, ai medoemos do të gjej një moment, një fjalë, një gjest, që do ta bëjë karakterin ‘normal’, të buzëqeshur, të lumtur.

Dëshmi për këtë është Abi Hofman, karakteri i Sacha Baron Cohen, në këtë gjykim. Bashkë me bashkë-ideatorin e tij, ata kanë një vend të posaçëm në gjykim, dhe nga aty rrjedhin komente e fjalë që prishin rendin, e neve na japin një dozë komedie, në këtë gjykim të kurdisur, qëllimi i të cilit na dëftohet që në fillim të filmit. Nga ky moment, ne përcaktojnë anën se cilën palë do ta përkrahim, gjë që rëndohet e ndihmohet edhe nga karakteri i Joseph Gordon-Levitt, i cili vjen në rolin e prokurorit.

Sacha Baron Cohen është ylli i këtij filmi, ai që tërheqë vëmendjen e dritat e skenës mbi vete, me një rol që nxjerrë më të mirën e tij duke gërshetuar karakteret e tija bizare me një seriozitet pothuajse inekzistent në karrierën e tij si aktor.

Mark Rylance, me natyrën e tij të heshtur e të qetë, si avokati kryesor i mbrojtjes, zë një vend të veçantë në gjithë kastën e aktorëve. Është i mrekullueshëm, derisa më kujtoi super-paraqitjen e tij tek ‘Bridge of Spies’, ku kalon një kohë të konsiderueshme në gjykatë me atë pjesën e paharrueshme në lidhje me ‘brengosjen e panevojshme’.

Michael Keaton, Frank Langella në rolin e një gjykatësi që të bën të urresh sistemin e drejtësisë, Jeremy Strong, Eddie Redmayne, e tjerët janë goxha në nivel. Të gjithë japin kontributin në këtë dramë mrekullueshëm të përpunuar nga Aaron Sorkin, i cili mbërthen të gjitha gjërat që kanë lidhje me këtë proces gjyqësor. Nota personale: 5/5

Mund ta shikoni në Netflix – https://www.netflix.com/tr-en/title/81043755