Categories
Filma

The Two Popes (2019) – Recensim

Sot, me anë të rrjeteve sociale, shumica portretizojnë një jetë të përkryer. Gjysmën tjetër të jetës që nuk është për mburrje, e fshehin. Njëkohësisht, kur diçka nga kjo anë e jetës sheh dritën e rrjeteve sociale, nis stuhia negative nga tjerët. Dua ta lidh këtë me rastin e shuplakës në dorë të papa Françeskut.

Nëse asgjë, ky film na dëshmon që papa Françesku nuk është një njeri i përkryer, dhe as që predikon diçka të tillë. Megjithatë, pranimi, pendimi, dhe mësimi nga të padobishmet në të kaluarën duhet t’i garantohet secilit. Edhe atyre që postojnë vetëm darka e pushime në rrjetet sociale, edhe klerikëve fetarë. Sigurisht, kur nuk predikojnë përsosmërinë absolute që nuk ekziston tek asnjë njeri.

‘The Two Popes’ të rrëqeth me aktrimin fantastik të Jonathan Pryce e Anthony Hopkins. Në asnjë çast nuk dyshon që je duke dëgjuar një muhabet ndërmjet papës Benedikt dhe papës Françesk. Aq përkryer mishërohen me karakterin sa që të duket sikur njëmend po dëgjon bisedën e dy papëve.

Nuk është shumë për t’u habitur kur shohim që skenari vjen nga Anthony McCarten që ka bërë më parë ‘Bohemian Rhapsody’, ‘Darkest Hour’, e ‘The Theory of Everything’. Një detaj i këndshëm është ora që i kujton Benediktin që duhet të lëvizë, e që në njëfarë mënyrë edhe simbolizon përfundimin e temës që po flisnin të dy.

Derisa dialogu është i mrekullueshëm, si dhe kohështrirja gjithashtu, çfarë do të kisha dashur të shihja më shumë në këtë film ishin momentet e rinisë së Benediktit. Kemi një pjesë të konsiderueshme të filmit që koncentrohet në përvojën e Françeskut, ndoshta edhe më shumë se që duhet, sidomos në krahasim me gjermanin. Sigurisht nuk do të doja të ishte film më i gjatë vetëm për të pasur më shumë skena me të kaluarën e Benediktit.

Një pjesë e filmit jep detajet e informatat që dihen, sidomos kah fundi, prandaj mungon ajo finalja e papritur. Për këtë nuk ka faj askush, marrë parasysh temën e filmit. Qëllimi arrihet duke përshkruar kohën që kalojnë në vetmi dy karakteret kryesore, dhe rrjedhimisht për shikuesin filmi përfundon nja 10-15 minuta para fundit ‘zyrtar’. Ndoshta rivendosja e ngjarjeve në mënyrë jo-lineare do të kishte bërë filmin edhe më të këndshëm.

‘The Two Popes’ kryen detyrën që ka pasur duke sjellë një bisedë të mrekullueshme, një lidhje të veçantë ndërmjet dy liderëve të botës krishtere në një ngjarje të veçantë për pjesëtarët e këtij religjioni. Kjo nuk e kufizon assesi filmin për neve tjerëve, por jep një pamje mbi diçka jo edhe aq publike. E gjithë kjo shoqëruar me aktrim mjeshtëror të Jonathan Pryce e Anthony Hopkins. Nota personale: 5/5