Categories
TV Reviews

The Undoing (2020) – Recensim mini-serie

Në mesin e viteve ‘90ta, kur Hugh Grant, Nicole Kidman, e David E. Kelley ishin në majat e suksesit të tyre artistik, do të kishte qenë e pamundur të paramendoje këta tre së bashku në një projekt televiziv.

Arsyeja?

Yjet e filmit nuk bëjnë seriale!

Nuk bënin, deri kur Woody Harrelson e Matthew McConaughey nisën me ‘True Detective’.

David E. Kelley njihet si një ndër producentët më të mirë televiziv, kryesisht me procedurale, por më së miri e njohim nga ‘Big Little Lies’. Aty kemi parë të shkëlqejë edhe Nicole Kidman, e cila në këtë mini-seri prej 6 episodeve vjen në rolin e një psikologe të martuar me një onkolog fëmijësh – Hugh Grant.

Një mëngjes, Xhonathani (Hugh Grant) zhduket. Njëkohësisht, nëna e njërit të pacientëve e tij është gjetur e vrarë. Elena, e njohur si një e bukur që flirton me shumë veta, dyshohet të ketë qenë në lidhje jashtëmartesore me Xhonathanin, i cili ka kohë që ishte dëbuar nga puna për shkak të këtij veprimi joetik.

Me burrin e saj në arrati, Grejs (Kidman), mbetet e rrethuar me të panjohura dhe e sulmuar nga bota aristokrate përreth. Donald Sutherland vjen në rolin e babait të saj, derisa Noah Jupe, të cilin mund ta kujtoni nga ‘A Quiet Place’ apo ‘Ford v Ferrari’ luan rolin e të birit të Grejs e Xhonathan.

Gjashtë orë do të mbyllin historinë e vrasjes së Elenës, e cila të dyshuar do të bëjë jo vetëm Frejserët, por edhe familjen e saj, e edhe detektivin të portretizuar nga Edgar Ramirez. Së paku unë, deri në episodin e fundit, nuk ia kam pas haberin se kush mund të jetë vrasësi, derisa kam dyshuar në secilin.

Një mister modern, goxha mirë i sendërtuar, me kthesa interesante. Skenari goxha mirë është i shkruar, e aktrimi i bënë të gjithë të duken të pafajshëm, e edhe fajtor njëkohësisht. Prodhim i HBO-së më.

Është një opsion goxha i mirë për një dramë të lehtë, pa përjashtuar çaste eksplicite. Zymtësia e temës vërehet në ngjyrat e fotografisë. Gjashtë orë interesante, për një vikend të mirë. I përkryer për fansat e ‘Big Little Lies.’ Nota personale: 5/5