Disa momente pasi për herë të fundit sheh dhe prek njeriun ndoshta më të rëndësishëm në jetën tënde, një grumbull jabanxhinjsh fillojnë ta mbulojnë pashpirt atë trup derisa dëgjon me dhunë dheun si përplaset.

Për pak minuta gjithçka kthehet në normalitetin e ri që do të jetë një rrugëtim i gjatë, ndoshta i pafund i anktheve të gjumit ku e gjen veten duke zhgroposur atë vend në atë që dëshiron të jetë realiteti i ri.

I frikësohemi vdekjes së dikujt të afërmit më shumë se vdekjes tonë.

Ngjashëm i frikësoheshim vdekjes së Jack te ‘This Is Us’.

Dhe ekipi pas serisë solli vdekjen më të butë të mundshme të karakterit të dashur, vdekjes e së cilit e prisnim çdo episod me ankth.

This Is Us nuk ka qenë seri për ata të cilët nuk kanë përjetuar vdekjen e një të afërmi.

Për ata të cilët kanë humbur dikë të afërt, ka qenë terapi.

Ndonëse vdekja e Jack është në qendër të pjesës së sezoneve të para, secili karakter ka një histori në vete, përfshirë edhe ai i Tobyt, për të cilin kam shkruar edhe një copëz të veçantë sa i përket luftës së tij me depresionin.

This Is Us ka qenë një abetare jete për kur të rritemi si të merremi me humbjen e të dashurve, qoftë nga vdekja apo nga jeta, si të lëvizim para, si të përballemi me padrejtësitë, si të menaxhojmë diferencat familjare, e shumëçka.

Ka qenë një abetare që na ka pasuruar ato që dimë në lidhje me këto tema, sidomos duke dhënë një qasje më ndryshe, më njerëzore, më emocionale.

Sezoni i fundit u ka dhënë hapësirë më shumë karaktereve dytësore, sidomos Miguelit, i cili ka merituar më shumë respekt nga vet Pearsons, e edhe rrugëtimi i Rebeccas deri në episodin e fundit ka qenë goxha i rëndë, por finalja e saj ka qenë fantastike.

Dhe ndoshta, kështu duhet t’i shohim krejt ato gjëra që supozojmë se janë të këqija – ndarja bashkëshortore, menaxhimi me padrejtësitë sociale, çarjet në lidhjet familjare ndërmjet fëmijëve, lëvizja në lidhje të reja, ngacmimet sociale, menaxhimi i jetës me një fëmijë me të meta, sëmundjet e pleqërisë e vet pleqëria, vdekja, dhe mbi të gjitha, shëndeti ynë mendor.

Për shumëkënd, për të gjithë ata që njoh, This Is Us ka qenë një terapi javore që na ka ardhur falas. Personalisht, më ka ndihmuar më shumë se terapitë në disa raste. Sidomos më shumë se njerëzit që më rrethojnë.

This Is Us nuk është vetëm një seri me rrëfim të mahnitshëm të disa jetëve të ndërlidhura derisa përballen me të gjitha problemet sociale që prekin karaktere të ndryshme përfshirë drogën e dhunën ndaj fëmijëve. This Is Us ka qenë ilaç. Nota personale: 5/5

About Author

Writer?!

You might also enjoy:

%d bloggers like this: