Categories
TV Reviews

This Is Us – Sezoni 2 (me spoilera)

Si e vret karakterin më të dashur në televizion për momentin, vdekja e të cilit është ditur për gati një sezon e gjysmë, gjatë të cilit janë dhënë shumë shenja për vdekjen e tij, duke na bërë të mendojmë se do të jetë një nga vdekjet më të rënda në televizion? Në mënyrën më të përkryer, duke mos na e shfaqur asnjëherë të vdekur, pa trazuar kujtimet e një njeriu perfekt i cili mund të ekzistoj vetëm në një serial televiziv.

Vdekja e Xhekut nuk ka mundur të bëhet më butë për neve fansave. Por, hiç nuk ka qenë e nevojshme ngacmimi i ndjenjave tona në episodin final të sezonit të dytë me një Xhek imagjinar. Tregimi i Xhekut mund të jenë mbyllur, por nuk do të zhduket historia e tij, e as vet Milo Ventimiglia. Episodi i ‘SuperBowl’ veç sa ka ndihmuar zhvillimin e karaktereve dytësore, sidomos Rebekës. Disi nuk mund të ndajmë pesëshen origjinale – Xhek, Rebeka e treshja. Por, krahas Rebekës, janë zhvilluar secili nga karakteret tjera, përfshirë edhe Bethin e Tobin, të cilët disi janë karaktere po aq të dashura sa pesëshja.

Okej, është zor të gjesh karakter negativ në këtë seri. As nëna e Dezhas nuk është aq antipatike, ndonëse episodi për historinë e Dezhas, episodi i parafundit më duket se ka qenë pak më i dobët se të tjerët. Nejse, goxha më i dobët, pasi kërkonim diçka tjetër.

Kevin, Kejt, e Randall kanë pasur si episodet ashtu edhe momentet e tyre, sidomos Kevini që disi sjell atë çarjen e brendshme karshi skulpturës së Menit e cila i vishet atij. Ndoshta kjo për faktin se problemet e Kejt me mbipeshën janë dhe kanë qenë evidente, si ato të Randallit me racën e tij. Kevini disi është dukur gjithnjë ai që ka pasur gjithçka, ai ylli i futbollit amerikan, i bukuri, por në fakt, në brendi e gjejmë atë Kevinin e dobët.

Po të kaloj edhe tek karakteret tjera, do të duhej të shkruajmë një libërth, dhe ashtu nuk kemi kohë të bëjmë, karshi shijimit maksimal të çdo episodi. ‘This Is Us’ disi na mbledh secilin nga ne, në një botë ku nuk ka njerëz negativ dhe të përkryer, dhe ndonëse mund të duket goxha i thjeshtë, është aq i thellë, aq i mbushur sa që mund të mbetemi me orë të tëra të diskutojmë për karakteret e ngjarjet. Është një ekip i shkëlqyeshëm skenaristësh të cilët goxha mirë e përshtatin shtjellimin e ngjarjeve nëpër trajektore të ndryshme kohore. E fundi i sezonit flirton me të ardhmen, jo aq të qartë, e aq më pak të lumtur të krejt këtyre karaktereve. Lë hapësirë edhe për së paku tri sezone të mira. Sidomos nëse e ruajnë këtë trend të cilësisë dhe shikueshmërisë. Nota personale për sezonin e dytë të ‘This Is Us’: 5/5