Categories
TV Reviews

This Is Us – Sezoni 4 (me spoilera)

Për të katërtin sezon televiziv, patëm 18 sesione terapie për zemrat e jetët tona të grisura!

Është pak e pakuptueshme për tjerët, më shumë e pashpjegueshme nga ne që e shikojmë ‘This Is Us’, ose më mirë të them ndjekim këtë seri emocionale e ngushëlluese të terapisë javore.

Në fund të sezonit të kaluar veçse na ishte dhënë një pamje mbi atë që na priste në tri sezone tashmë të porositura. Me dy të mbetura, mendoj që jemi shtrirë goxha mjaftueshëm në të ardhmen. Për më tepër, jemi njoftuar edhe më shumë me të ardhmen e Tobit e Kejt.

Por, ta nisim me të kaluarën, aty ku ende kemi Xhekun. Sezoni i katërt nisi me zanafillën e lidhjes së tij me Bekan, dhe takimin me prindërit e saj. Dhe nga aty, vazhduam të admirojmë edhe më shumë karakterin e tij perfekt.

Nga Xhek, kalojmë tek Randalli për të cilin ky sezon ishte një tentim adaptimi me jetën dhe punën e tij të re. Ende nuk mund të heq frikën që çifti më i përsosur në këtë seri, me karakterin më të mirë në seri – Beth, s’do të mbesin çift për shumë gjatë.

Beth ka mbetur e vetme në pozitën e parë falë zhvillimit të karakterit të Tobit këtë sezon, i cili ka devijuar nga përsosmëria e tij. E kuptoj vendimin e skenaristëve, trajtimi i temës së prindërve të një fëmije me të meta ndijore, si Xhek Xhunior, ka bërë kurban Tobin e vjetër!

Gjithçka që ndodhte me Kejt, sidomos i dashuri i saj i parë, këtë sezon prishnin nerva. Uroj të mos kemi punë më me të!

E si në çdo ngjarje të Pirsons, edhe në këtë recensim Kevin lihet anash dhe për fund. Është botë në vete, dhe zhvllimi i karakterit të tij gjatë këtij sezoni ngjashëm ishte botë në vete. Afrimi me xhaxhin e tij, lidhja me karakterin e Jennifer Morrison që duhej të ishte nëna e vërtetë e fëmijëve të Ted Mozbit, ishte ndër pjesët më të mira të këtij sezoni.

Na kanë mbetur së paku edhe dy sezone, dhe në këto dy sezone do të shohim fundin e Rebekës, diçka që do të na rrënojë edhe më shumë si shikues. Por, shpresoj që të jetë e vetmja pjesë e dhimbshme e ‘This Is Us’. Sidoqoftë, besoj që jemi me fat, sidomos për shëndetin tonë psikik e emocional, që kemi ‘This Is Us’ me neve këto vite. Është seria e përkryer që sjell një jetë familjare, të shtrirë nëpër gjenerata të ndryshme, në rrethana e procese shoqërore sfiduese për secilin nga të pranishmit, përfshirë në veçanti shëndetin mendor si një temë tabu në këto kohë moderne. Nota personale: 5/5