Categories
Televizioni

This Is Us – Sezoni 5 (me spoilera)

Okej, veç edhe një sezon ka mbetur, dhe mendoj që kjo është gjëja më e mirë për të gjithëve!

Ndonëse nuk ka qenë ndër më të mirët e më të pikëlluarit, fatmirësisht, mendoj që reagimi i një shoqeje rreth përfundimit të serisë – “boll ma se na shterri” – tregon që jemi të gatshëm si fansa ta lëmë ‘This Is Us’ në histori, si njëra ndër seritë më ‘terapeutike’ për mendjen dhe zemrat tona të krisura (nuk mendoj që tjerat e ndjejnë aq)

Më e mira e këtij sezoni ishte përfshirja e situatës me pandemi në botën e Treshes së Madhe, që na afronte edhe më shumë me këtë seri, në këtë kohë të tmerrshme. Dhe mu si kjo kohë pandemie, edhe ky sezon më shumë u përqendrua në momentet që ndanin karakteret, në momentet që prishnin lidhjet, që e bënte jetën e karaktereve edhe më afër reales.

Sa prej juve e kanë ditur që Kevin edhe Madison nuk do të përfundojnë së bashku?

Ashiqare shihej edhe në sezonin e kaluar që këta dy nuk janë të bërë për njëri-tjetrin, ani pse Kevin dëshiron të jetë ai babai i mirë, i dashur, që është ëndrra e shumë djemve të cilët provojnë të reflektojnë të atin e tyre ndaj pasardhësve tyre, respektivisht vajzat të ëmat.

Për këtë mendoj që patëm ‘krizat’ e Xhekut me Rebekën në fund të sezonit – edhe prindërit më të mirë i kanë momentet e ‘krizës’, si çdo njeri dhe lidhje njerëzore, e disa prindër më mirë funksionojnë si prindër të ndarë se sa të bashkuar. E me gjasë do të kemi dy nga treshja të ndarë në sezonin e fundit, dhe jo ashtu siç frikësonim dy sezone më parë – Randall e Beth. Dy sezone më parë do të pikëllohesha po të dija që Tobi e Kejt do të ndaheshin, por jo më. Oh, edhe ende mendoj që Kevin ka humbur rastin kur ka lënë atë ‘artisten’ e Nju Jorkut, në dy sezonet e para diku, nuk më kujtohet emri.

Këtë sezon kemi pasur karakteret dytësore që kanë hipur në piedestal – Migelin e Nikun – të cilët kanë pasur episodet e momentet e tyre rrëqethëse deri diku. Udhëtimet në të kaluarën alternative të Randall në kërkim të prindërve të tij kanë qenë goxha emocionale, ngjashëm si ato skenat në fëmijëri, e pastaj edhe avancimi i sëmundjes së Rebekës.

Mendoj që ka qenë një sezon që ka ‘pjekur’ karakteret në kohën e tashme – treshen 40 vjeçare, të pranojnë çarjet dhe momentet e mërisë, papajtueshmëritë me njëri-tjetrin, si dhe të mësojnë të kalojnë këto, të shërojnë plagët, e edhe të lëvizin para pa marrë parasysh se sa e rëndë mund të jetë dhimbja.

Ngjashëm edhe ne duhet të përgatitemi të lëvizim para nga kjo seri, që nuk dyshoj që na ka ndryshuar jetën për të mirë. Pa marrë parasysh se çfarë ndodh në sezonin e ardhshëm, e në jetët tona, ashtu siç tha Rebeka, ‘Gjithçka do të jetë në rregull.’ Nota personale: 5/5