Çka kishit bo me pas mundësi mu kthy në kohë edhe me ndryshu jetën e juj? A kishit rreziku me ndrru këtë gjendje, pozitë që jeni tash me diçka tjetër alternative që kish mujt me dal ma e mirë, po edhe ma e keqe?
Zakonisht nëpër filma perëndimor e kemi atë dëshirën klishe mu kthy në kohë edhe me vra Hitlerin! Gjenerata jonë ndoshta do të duhej të adaptonte vrasjen e Millosheviqit, mirëpo do të ishte diqysh kundërthënëse pasi ndoshta do të kishim hala komunizëm knej! E komunizmi nuk thojnë që osht kon ekonomikisht ma keq se ky lloj sistemi që e kemi. Së paku kolegët e mi shahista nëpër parqe thonë kështu!
Në ditëlindjen e 21të, Tim mëson se mund të udhëtoj mbrapa në kohë, vetëm mbrapa për të ndryshuar jetën e tij. Për të përmirësuar gabimet eventuale. Është diçka që ndjek të gjithë burrat e familjes së Timit. I ati, i cili vjen në jetë nga i këndshmi Bill Nighy, është kthyer të lexoj të gjithë librat që i kanë pëlqyer. Edhe atë nga dy herë. Timi ka plane tjera.
Plani i Tim për të përmirësuar botën është të gjej një të dashur. Dhe së pari e provon me Sharlotën. Këtu merr mësimin e parë të madh – sado që të lëvizni në kohë, kurrë nuk mund të bëni dikë të bie në dashuri me ju!
Më pas, ai takon Merin. Dhe nga këtu nis historia e tyre. Një histori e lezetshme, një romancë e ëmbël, që kapërcen shumë kohë. E gjitha e shkruar nga pena e Richard Curtis. Ai bën edhe regjinë e këtij filmi, duke mos u larguar nga trajektorja e tij e dramedive të lehta, goxha të dashura.
Domhnall Gleeson ka pasur një vit të shkëlqyeshëm në vitin 2015. Për mua, vitin e shpërthimit. Ky film ka ndodhur dy vite më parë, atëherë kur Margot Robbie kishte nisur të shfaqej në filma. Ajo vjen si Sharlota, derisa Rachel McAdams është Meri – dashuria e përhershme që mbijeton çdo epokë për Timin.
Po të ktheheshit në kohë, cilën do të zgjidhni? Rachel McAdams, Margot Robbie, simpatinë e klasës së gjashtë? Apo ndoshta do të vrisnit Hitlerin, Millosheviqin? Ose ndoshta s’do të rrezikonit hiq, e do të shijonit çdo moment të jetës, të mirë a të keq, duke e ditur që nuk ju jepet një shans i dytë.
Një film që shtjellon për mrekulli kohën dhe rëndësinë e saj. Sidomos atë që kalojmë duke shikuar filma jo të mirë. Nota personale: 5/5