Categories
Filma

Together (2021) – Recensim

Më duket e pështirë kur disa qeshin me gjërat që bënim në fillim të pandemisë – pastrimi i rrugëve, larja e duarve, distanca, e krejt masat tjera, por më të gërditshmit janë ata që tallen me orën policore, diçka e aplikuar anembanë botës, dhe e treguar si efektive në menaxhimin e turmave!

Nejse…

E keni vërejtur si ata që nuk besonin që ka virus më pas u konvertuan në ata që nuk besonin në vaksinë?

E shumë e shumë gjëra nga pandemia, plot trishtim që na ka kthyer në SSRI, dhe nevoja për të vizituar profesionistët e shëndetit mendor, ende rrojnë në kujtimet tona të freskëta!

Nuk është aq zor të luftojmë virusin e pandeminë sa është t’i luftojmë bravolabat, anti-vaxxerat, e legenat e ngjashëm!

Një luftë më të butë kanë ndërmjet vete James McAvoy dhe Sharon Horgan.

Filmi ‘Together’ i Stephen Daldry e Justin Martin, sjellë rrëfimet e një çifti bashkëshortor derisa manovrojnë në periudha të ndryshme të pandemisë, nga ditët e para, deri tek vaksinimi, duke përmbledhur të gjitha problemet kryesore që kemi pasur secili prej neve gjatë kësaj periudhe.

Ai dhe ajo urrejnë njëri-tjetrin, ndonëse janë të martuar, pra pak a shumë si çdo çift në filma, sepse të jemi real, po të mos kishte probleme, dhe të ishte gjithçka për mësysh ndërmjet çifteve s’do të kishim as filma. Në fakt kemi, dhe janë filmat më të lezetshëm që mund t’i shihni – çdo të shtune në Hallmark Channel!

Të dy, ai dhe ajo, thyejnë murin e katërt, së bashku, dhe na rrëfejnë për ndjenjat e tyre ndaj njëri-tjetrit, ndaj ngjarjeve, ndaj pandemisë. Më shumë janë dialogë indirekte, e jo rrallë edhe monologë të çdonjërit me neve si shikues.

Është një ambient i këndshëm, tipik britanik, një familje britanike, dhe një pandemi globale.

Më shumë do të fle si histori tek çiftet, familjet, se sa tek ne tjerët, që kanë kaluar, dhe po kalojmë këtë pandemi me luftë në dy fronte, e ne kosovarët edhe në tri – mediat që shpërndajnë rrena!

Është film i përkryer për temën që shtjellon. Kap të gjitha momentet e emocionet që kemi pasur, e vazhdojmë të kemi në këtë kohë të pazakontë. Aktrimi fenomenal, fotografia e bukur, shkrimi madhështor. Nota personale: 5/5