Ngjashëm si tek regjisorët edhe këtu do të thosha – ‘Oskar për filmin më të mirë të vitit shkon për La La Land.’ E para se të nisëm edhe në një rrugë vargjesh poetike sikur tek recensimi për këtë film, do të kaloj tek filmat tjerë, një nga një.

‘Hacksaw Ridge’ sjell një tregim të veçantë lufte. Tregimi për një ushtar i cili shërben vendin e tij pa prekur armë me dorë është inspirim në vete. Shtjellimi i tregimit shpërfaq gjithçka që na duhet të dimë për këtë tregim bazuar në ngjarje të vërtetë. Mel Gibson bën punë të mahnitshme pas kamerave derisa Andrew Garfield kap në një mënyrë të veçantë këtë karakter. Nga Spajdermeni i dështuar në një hero të veçantë lufte, evoluimi i tij është duke ecur në kahjen e duhur. Këtë film do ta vendosja në mes të renditjes, aty tek pozita e katërt.

Një pozitë më poshtë do të duhej të ishte ‘Fences’. Film i ndarë në dy pjesë do të thosha – së pari është monologu i gjatë i Denzelit me pak ndërhyrje të karaktereve tjera, karaktere të cilat më pas marrin tregimin në duar. Është tregim i thjeshtë, i ngushtë, i rrëfyer për mrekulli. ‘Fences’ i vendosim në pozitën e pestë.

Si filmi më i mirë i gjashtë në këtë grup nominimesh do të vendosja ‘Hell or High Water’. Një klasik për qejfin tem, me Jeff Bridges në një rol dytësor derisa ndjek nja dy vëllezër kryengritës ndaj sistemit, ngjyroset me një kontrast që të merr sytë. Kjo i vë ata një pozitë më lart se një film tjetër me fotografi më të mirë e që ndoshta për dikë është edhe filmi më i mirë i vitit – ‘Moonlight’. Është jashtëzakonisht i mbivlerësuar për temën që trajton, që është temë që ka nevojë për trajtim ama nuk është aq i veçantë sa po bëhet. Aktrimi është i shkëlqyeshëm, dhe për këtë lë në pozitën e tetë filmin ‘Lion’. Tregim emocional, me aktrim e skenar mirë të sendërtuar, por që megjithatë nuk arrijnë të largojnë nga piedestali atë që e bën të suksesshëm këtë film – ngjarja e vërtetë. E për ngjarjen fiktive është pozita e fundit e cila meritohet vetëm për shkak të skenarit dhe jo përgatitjes teknike të ‘Arrival’.

Pozita e tretë do të shkonte për filmin që sjell racizmin në një këndvështrim krejt tjetër. Tregimi për gratë me ngjyrë që dërguan Amerikën në Hënë është ndër filmat më të mirë me temë racizmin që janë shtjelluar viteve të fundit. Krejt kjo për qasjen që bën në këtë temë.

Një vend pas ‘La La Land’ që është ndër filmat më të mirë artistik të viteve të fundit, jo vetëm këtij viti (kuptohet gjithnjë sipas qëndrimeve personale të mija) mbetet ‘Manchester by the Sea’. Ky film do të ishte fitues në shumë edicione të Oskarëve, por fatkeqësisht shkon kundër ‘La La Land’. Tregimi është i rëndë, aktrimi është i përkryer, ngjyrat janë fantastike. Është film që varësisht nga historia juaj mund të ju prek thellë në brendësi. Por, sigurisht do të ju prek në ndjenja.

‘La La Land’ nuk është i mbivlerësuar. ‘La La Land’ është mishërim i shpirtit artistik të cilin mund ta gjejmë tek secili budalla që guxon të ëndërroj. Nxjerr ëndrrat tona më të fshehura dhe na tregon se çfarë qenie jemi sa që ato do ti shisnim për pak para. Tregimi është art në vete. Realizimi teknik është art mbi artet. Nëse filmi është krijuar si industri për të argëtuar njerëzimin, për të shprehur artin, atëherë ‘La La Land’ është definicion i vet filmit.