Sigurisht që dikush nga ju ka parë ‘meme’ në lidhje me pleq të cilët kur tregojnë për jetën e tyre të bëjnë t’i shohësh si super-heronj me 12 punë njëkohësisht në kushte të mjerueshme, pa rrymë, pa bukë, acar, stuhi, e njëqind kiamete tjera. Epo, ka të tillë që nuk e kanë pasur bash lehtë, sidomos nëse mendoni që nuk ka ende gjysmë-shekulli që rryma ka mbuluar pjesët rurale të vendit tonë!

Një plak i tillë duhet të kishte qenë John Ronald Reuel Tolkien. Por, për dallim nga shumica e pleqve tanë (pa qëllim të ofendimit as indirekt), Tolkien pas një fëmijërie e jete goxha të mundimshme, arriti të krijojë një botë krejt tjetër, epike, e cila me ndihmën e Peter Jackson na dha njërën nga trilogjitë më të mira në histori të filmit. Diçka edhe më e mirë mund të ofrohet vitin e ardhshëm me serinë e Amazon për ‘Lord of the Rings’.

Filmi biografik për Tolkien është realizuar nga, le të themi gjysmë-amator. Sidomos në punën pas kamerave. Duke provuar të sjellë një biografi në detajet më të rëndësishme, filmi humb shumëçka në kapërcimet nëpër periudha të ndryshme të jetës së Tolkien duke provuar të na arsyetojë veprat e tij, inspirimin për to nga disa aspekte të jetës. Fotografia mban një lloj zymtësie ‘britanike’ ta quaj, e në masë të madhe më lidhet me filmin për JD Sallinger, ‘Rebel in the Rye’.

Arsyeja kryesore, Nicholas Hoult luan rolin e JD Sallinger, e edhe tani të Tolkien. Rrjedhimisht, Hoult sjell një përvojë pak a shumë të ngjashme duke na bërë këtë lidhje të këtyre dy filmave ndoshta. Puna e tij është e njëjtë, e as pjesa tjetër e ansamblit nuk mbetet mbrapa. Gjithçka shkon në mesatare, bashkë me Lily Collins e Derek Jacobi që vijnë në rolet tjera.

Sa për pleqtë që i keni afër, respektojini edhe besojuni ‘hjekave’ të tyre, se as neve nuk na besojnë që nuk kemi pasur rrymë kah pesë orë në ditë e më shumë, e edhe që konviktet e UP-së kanë pasur ujë të nxehtë për tri orë në javë! Në javë! Ndërkohë filmi ‘Tolkien’ mbetet mesatar, pak ofendues për shkrimtarin, jo i denjë për biografinë e tij. Nota personale: 3/5