Categories
Filma

Toy Story 4 (2019) – Recensim

Nëntë vite vonesë ndërmjet dy vazhdimeve është pak e tepërt! Por, sa herë që shoh ‘Toy Story’ më bën më shumë nostalgjik për lodrat e fëmijërisë, e më shumë ‘të çuditshëm’ me lodrat e tashme!

Si çdo herë, edhe tashti (më shumë se më parë me gjasë), skenaristët arrijnë t’u japin jetë lodrave në botën e Endit. Sigurisht që tani nuk jemi me Endin. Është radha e Bonit, dhe ajo do të nisë parashkolloren së shpejti, e si çdo fëmijë normal edhe ajo e urren përfundimin zyrtar të parajsës fëmijërore. Një nga rregullat e panevojshme është që nuk guxon të marrësh lodra me vete në parashkollore. Nga përvoja di të ju them se qëndrimi në shtëpi me lodra është shumë më i mirë se parashkollorja, bindje që veç sa përforcohet më shumë nga Toy Story 4 😉

Vudi nuk do të lë Bonin të vetme në ditën e parë të parashkollores. Ndesh me rregullat, Vudi pos kujdesit për Bonin, do të duhet të kujdeset edhe për Pirunkun, i bërë nga bërllogu si lodra e parë e Bonit. Pirunkun, siç dua ta quaj Forkin, nuk është i interesuar të bëhet pjesë e lodrave të Bonit, dhe kap rrugën, përkundër lidhjes emocionale që ka Boni me të. Për të mos ia prishur qejfin asaj, Vudi dhe ekipi nisën në kthimin e Pirunkut në shtëpi! Dhe ky udhëtim, nuk është ndër më të mirët!

E them këtë në kuptim që nuk është një udhëtim i rehatshëm, duke lënë më shumë se që nevojitet paqartësi dhe pasiguri në arritjen e qëllimit, që për mua si një ‘fëmijë’ më i plakur ndjenjat e hareshme që duhej të na i ofronte, i shndërron në shqetësim më shumë se kënaqësi. Pra, më duket se e ka pasur një teprim në përçimin e ngazëllimit, pasigurisë, dhe ka shtyrë më larg se që duhet këtë ndjenjë.

Pjesa tjetër, sidomos ajo teknike është i shkëlqyeshme. Edhe ideja nuk mbetet mbrapa, por duket se titulli i franshizës ka pasur një ngarkesë kreative tek skenaristët të cilët i kanë ‘dhënë zor’ më shumë se që është dashur. Nota personale: 4/5