Categories
Filma

Trainspotting (1996) – Recensim

Ewan McGregor është ndër personat më të dashur në botën e filmit për mua. Megjithëkëtë, në vlerësimin e komentimin e filmave të tij ruaj objektivitetin. Deri diku! E njëjta do të duhej të ndodhte edhe në këtë recensim.

Filmat me tematikë drogat nuk më bëjnë të ndjehem rehat kur shkruaj për shkak se kuptimi i komentimit të tyre mund të perceptohet ashtu siç preferon truri i atyre që i shikojnë. Njëjtë ndodh edhe me filmat tjerë – i njëjti film ka kuptim ashtu siç dëshirojmë t’i japim ne!

Për mua, Trainspotting, është një film që sjellë një grup miqsh skocez, të cilët provojnë të jenë ‘normal’, por një ‘normale’ që ju duket atyre normale, duke relativizuar kuptimin e normales, nisur nga momenti kur Renton, karakteri kryesor i filmit, portretizuar nga Ewan McGregor, thotë:

“Zgjedh jetën. Zgjedh punën. Zgjedh shtëpinë. Zgjedh sigurimin dentar, veshjet dhe valixhen për kohë të lirë. Zgjedh të ardhmen. Por, pse do të bënte ndokush diçka si kjo?”

Dhe kjo katërshe miqsh, nën regjinë e Danny Boyle, bëjnë diçka krejt tjetër. Sigurisht, me ndihmën e narkotikëve e gjërave të ngjashme, duke u lëshuar në atë çfarë ndjejnë për momentin, pa tëholluar gjerë e gjatë mendimet e arsyetimet për veprimet që ndërmarrin.

Përkrahë McGregor, në rolet kryesore vijnë edhe Jonny Lee Miller e Kevin McKidd, të cilët i kam përcjellë edhe në role tjera, mjaft të suksesshme, derisa më ‘simpatiku’ nga këta, Ewen Bremner – qeli, ka mbetur më pak aktiv. Ajo çfarë është ‘performancë’ shpërthyese ka qenë Kelly MacDonald, karakteri i së cilës mbetet në anën tjetër të historisë së këtij filmi.

Është film i shthurur, me tërë të këqijat, në raste i pështirë, në raste edhe i papërballueshëm, që sjellë llomin e llomit, i gërditshëm sa më s’ka, dhe sigurisht, i panevojshëm për tu parë patjetër.

Ekziston një fanbazë e madhe që e konsiderojnë si ‘cult’ film, të njëjtit që e shohim ngjashëm edhe ‘A Clockwork Orange’, por për mua, nuk e ka të njëjtin efekt. Sigurisht, e kam parë, e shikoj prapë, por nuk është që ndjej diçka të veçantë, të mrekullueshme për këtë film. I mirë, por meh… Nota personale: 3/5